Paneli i Gjykatës së Apelit ka caktuar shqiptimin e aktgjykimit të apelit në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar k. Pjetër Shalës për 14 korrik 2025, në orën 11:30 sipas orës së Evropës Qendrore.
Seanca do të jetë publike dhe mund të ndiqet në gjuhët shqipe, serbishte dhe anglishte nëpërmjet transmetimit të drejtpërdrejtë në faqen e internetit të DHSK-së (https://www.scp-ks.org/sq/transmetim) me 10 minuta vonesë, ose nga galeria për publikun në mjediset e gjykatës. Më shumë informacion për orarin e seancës mund të gjeni në kalendarin e gjykatës (https://www.scp-ks.org/sq/calendar).
Për të ndjekur seancën nga galeria për publikun, këshillohet regjistrimi paraprak.
Gazetarët që dëshirojnë të incizojnë seancën nga qendra e medias mund ta bëjnë këtë dhe janë të lutur gjithashtu që të regjistrohen paraprakisht.
Për të bërë regjistrim paraprak, ju lutemi dërgoni një email me emrin, organizatën së cilës i përkisni, datën e lindjes, shtetësinë dhe numrin e pasaportës në adresën [email protected].
Përfaqësuesit e medias luten të dërgojnë një kopje të skanuar të kartelës së shtypit, si dhe të bëjnë me dije nëse do ta përcjellin seancën nga galeria publike apo qendra e medias. Pjesëmarrja pa regjistrim paraprak varet nga disponueshmëria e vendeve të lira. Seanca mund të ndiqet, me një vonesë, edhe përmes internetit. Për këtë nuk nevojitet regjistrimi paraprak.
Incizimi audiovizual i shqiptimit të aktgjykimit të apelit do të vihet në dispozicion më vonë gjatë ditës më 14 korrik, në faqen e internetit të DHSK-së dhe në kanalin Youtube .
Gazetarët që kanë pyetje mund të kontaktojnë Zyrën për Media në adresën [email protected]. Gjithashtu, zëdhënësit e DHSK-së mbajnë përditësime javore të rregullta në internet për gazetarët, çdo të enjte në orën 14:30, gjatë të cilave gazetarët mund të bëjnë pyetje. Gazetarët që dëshirojnë të marrin pjesë në përditësimin javor mund të shkruajnë në adresën [email protected] dhe ne do t’ju dërgojmë lidhjen.
Përmbledhje e akuzave
Në këtë çështje gjyqësore, Prokuroria pretendon se afërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, Pjetёr Shala dhe disa ushtarë, policë dhe roja të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës morën pjesë në ndalimin arbitrar, trajtimin çnjerëzor, torturën dhe në një rast në vrasjen e paligjshme të të ndaluarve në Fabrikën e Metalit në Kukës, në Shqipërinë veriore. Sipas aktakuzës, viktimat e këtyre krimeve ishin persona që dyshoheshin se bashkëpunonin me Serbinë ose se nuk përkrahnin UÇK-në, dhe të cilët nuk merrnin pjesë aktive në luftime. Në procesin gjyqësor morën pjesë tetë viktima të përfaqësuar nga një avokat.
Sipas Aktakuzës, të ndaluarit në fabrikën e metalit u keqtrajtuan rregullisht, si fizikisht, ndër të tjera përmes rrahjes me mjete të ndryshme, ashtu edhe psikologjikisht, ndër të tjera, përmes kërcënimit me vdekje, poshtërimit, ngacmimit, marrjes në pyetje dhe detyrimit ose shtrëngimit për të dhënë informacion ose deklarata pranuese. Aktakuza pretendon se Pjetёr Shala dha kontribut të qenësishëm në krimet e pretenduara duke marrë pjesë në to drejtpërdrejt, si dhe duke mos marrë masa adekuate për të mundësuar trajtimin njerëzor të të ndaluarve në fabrikën e metalit në Kukës, ose duke ndihmuar dhe inkurajuar në mënyra të tjera kryerjen e krimeve që paraqiten në Aktakuzë.
Historiku i çështjes
Gjykatësi i Procedurës Paraprake konfirmoi aktakuzën fillestare kundër Pjetër Shalës më 12 qershor 2020. Z. Shala u arrestua më 16 mars 2021 në Belgjikë dhe u transferua në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës më 15 prill 2021. Gjatë fazës së procedurës paraprake u nxorën prova, u lëshuan vendime mbi mocione paraprake dhe tetë viktima u pranuan për të marrë pjesë në proces, të përfaqësuara nga Mbrojtja e Viktimave.
Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar, Mbrojtjes së Viktimave dhe Mbrojtjes së të akuzuarit. Më 9 korrik 2023, ZPS-ja përfundoi paraqitjen e provave të saj. Më 21 gusht 2023, paraqiti prova Mbrojtja e Viktimave. Paraqitja e provave nga Mbrojtja nisi më 20 shtator 2023. Më 15 janar 2024, Mbrojtja e Pjetër Shalës njoftoi për mbylljen zyrtare të paraqitjes së provave të saj.
Procedura e paraqitjes së provave në këtë çështje përfundoi më 9 shkurt 2024 dhe argumentet përmbyllëse u bënë nga 15 deri më 17 prill 2024. ZPS-ja thirri 10 dëshmitarë për të dëshmuar në gjykim; Mbrojtja e Viktimave paraqiti dy dëshmitarë dhe Mbrojtja e të akuzuarit 10 dëshmitarë.
Aktgjykimi u shqiptua më 16 korrik 2024. Trupi Gjykues e shpalli të akuzuarin fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 18 vjet burgim. Trupi Gjykues shpalli z. Shala të pafajshëm për veprën penale të trajtimit çnjerëzor si krim lufte.
Urdhri për zhdëmtim në lidhje me tetë viktimat pjesëmarrëse në proces u shqiptua më 29 nëntor 2024. Trupi Gjykues e urdhëroi z. Shala të paguajë një shumë prej 208.000 eurosh si kompensim për dëmin fizik, mendor dhe material që iu shkaktua viktimave të krimeve për të cilat u shpall fajtor.
Më 2 shtator 2024, Mbrojtja e Shalës dorëzoi njoftimin për apel kundër aktgjykimit dhe Kryetarja caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit të përbërë prej gjykatësve Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen për të vendosur në lidhje me apelin. Seancat e apelit u mbajtën më 15 dhe 16 maj 2025.
Më 28 janar 2025, Mbrojtja e Shalës dorëzoi një njoftim tjetër për apel kundër urdhrit për zhdëmtim. Megjithatë, vendimi për apelin kundër urdhrit për zhdëmtim nuk do të merret në kuadër të aktgjykimit të apelit që do të shqiptohet më 14 korrik.
Më shumë informacion për këtë çështje gjyqësore mund të gjeni në faqen e internetit për çështjen gjyqësore të Pjetër Shalës.