-
E enjte 28 Mars, 2024 15:30
Share this page
Probleme teknike me transmetimin e drejtpërdrejtë
Për shkak të një problemi teknik, transmetimi i drejtpërdrejtë i seancës së sotme në çështjen Thaçi dhe të tjerët është ndërprerë rreth orës 13:30 dhe ka zgjatur për disa minuta. Kërkojmë ndjesë për çdo shqetësim që mund të ketë shkaktuar për shikuesit e transmetimit tonë në internet.
Transkripti i plotë i kësaj seance bashkë me videon do të publikohen në kanalin Youtube dhe në faqen tonë të internetit, sa më shpejt të jetë e mundur.
-
E enjte 28 Mars, 2024 14:45
Share this page
Informimi javor për median më 28 mars: transkripti
Transkripti i informimit të sotëm javor të DHSK-së për median ndodhet këtu.
Michael Doyle, zëdhënës i DHSK-së Arkivi i të gjitha informimeve të mëparshme është i disponueshëm në këtë faqe ndërsa video incizimet mund të gjenden në kanalin tonë në Youtube
-
E enjte 28 Mars, 2024 13:00
Share this page
Çështja Januzi dhe të tjerët: Gjykatësi i Procedurës Paraprake caktoi kalendarin për hapat e ardhshëm procedural
Më 27 mars 2024, gjykatësi Giju nxori një urdhër lidhur me afatet konkrete kohore për procedurat e mbetura paraprake në çështjen kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës.
Sa i përket situatës së financimit të ekipeve të tyre, Mbrojtja urdhërohet të plotësojë dhe dorëzojë formularët dhe dokumentacionin e nevojshëm deri më 12 prill 2024 nëse synojnë të kërkojnë ndihmë juridike nga DHSK-ja. Gjykatësi urdhëroi ekipet e Mbrojtjes që të dorëzojnë parashtrimet me shkrim nëse ka ndonjë pengesë në përmbushjen e afatit për dorëzimin e formularëve të nevojshëm si dhe kërkoi nga Zyra Administrative që t'i trajtojë këto kërkesa në mënyrë urgjente.
Ndër afatet tjera kohore, gjykatësi urdhëroi gjithashtu që Mbrojtja të dorëzojë dosjen e vet paraprake deri më 7 qershor dhe caktoi 21 qershorin 2024 si datë për kalimin e dosjes së çështjes Trupit Gjykues.
Vendimin dhe më shumë detaje mund t’i gjeni këtu.
-
E enjte 28 Mars, 2024 12:30
Share this page
Çështja Mustafa: publikohet raporti i parë i Administratores në lidhje me zhdëmtimet
Versioni i redaktuar publik i parashtrimit të Administratores lidhur me zbatimin e Urdhrit për zhdëmtim në çështjen Salih Mustafa (i dorëzuar në mënyrë konfidenciale më 24 janar të këtij viti) është i disponueshëm në dokumentacionin gjyqësor publik. Ky parashtrim pason caktimin e një gjykatësi të vetëm më 17 janar (shih njoftimin tonë këtu) për të mbikëqyrur zbatimin e urdhrit për zhdëmtim dhe për të marrë raporte nga Administratorja për çdo veprim të ndërmarrë në kuadër të Programit për kompensimin e viktimave të krimit në Kosovë.
Administratorja vuri në dukje se afati kohor i aplikueshëm për dorëzimin e kërkesave të viktimave në këtë çështje, në kuadër të Programit për kompensimin e viktimave të krimit, është brenda tre viteve nga marrja e aktgjykimit të formës së prerë, ashtu siq është përcaktuar me ligjin e ndryshuar në fuqi në Kosovë. Ajo theksoi se kjo do të bëhet në bashkëpunim me Mbrojtësin e Viktimave pasi të merren të gjitha informatat përkatëse dhe të plotësohen të gjitha kushtet, dhe saktësoi se, sipas të njëjtit ligj, këto kërkesa mund të dorëzohen vetëm pas përcaktimit të mundësisë së Mustafës për t'i kompensuar vetë tetë viktimat, tërësisht ose pjesërisht. Nëse një përcaktim i tillë kërkohet nga gjykatësi i vetëm, Administratorja deklaroi se mund të kryejë një vlerësim të shkallës së varfërisë së Mustafës duke përdorur sistemin e paraparë në Rregulloren e DHSK-së për ndihmë juridike.
Bazuar në informacionin e ofruar, Administratorja kërkon vendimin e gjykatësit të vetëm lidhur me këtë çështje.
-
E enjte 28 Mars, 2024 10:45
Share this page
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: dita e katërt e dëshmisë së Shaun Byrnes
Dëshmitari Shaun Byrnes vazhdon dëshminë e tij këtë mëngjes. Ai po merret në pyetje nga Trupi Gjykues.
-
E enjte 28 Mars, 2024 09:45
Share this page
Probleme teknike me dokumentacionin gjyqësor publik të DHSK-së
Këtë mëngjes, për shkak të vështirësive teknike, ka pasur probleme me pamjet dhe me shkarkimin e dosjeve nga dokumentacioni gjyqësor publik (DGJP) i DHSK-së. Problemi është zgjidhur dhe DGJP po funksionon si duhet.
-
E mërkurë 27 Mars, 2024 17:15
Share this page
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: orari i ri i seancës së nesërme (28/03)
Ju lutemi vini re se seanca e nesërme (më 28 mars) në gjykimin Thaçi dhe të tjerët do të nis në orën 10:00.
-
E mërkurë 27 Mars, 2024 17:00
Share this page
Informimi javor për median më 28 mars
Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 28 mars në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected]. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së.
-
E mërkurë 27 Mars, 2024 09:45
Share this page
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: dita e tretë e dëshmisë së Shaun Byrnes
Dëshmitari i 53-të i Prokurorisë, Shaun Byrnes, vazhdon dëshminë e tij këtë mëngjes. Ai po merret në pyetje nga Mbrojtja e Jakup Krasniqit.
-
E martë 26 Mars, 2024 11:00
Share this page
Thaçi dhe të tjerët: Vendim i Trupit Gjykues mbi kërkesën më të fundit të Selimit lidhur me masat e paraburgimit
Më 22 mars 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët nxori vendimin mbi kërkesën e Rexhep Selimit për të shqyrtuar refuzimin e Administratores për rishqyrtimin e tri kushteve të përcaktuara lidhur me vizitat dhe komunikimet e të akuzuarit.
Trupi Gjykues hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes pasi, mes tjerash, konstatoi se Administratorja ka vepruar brenda autoritetit të saj, ka baraspeshuar siç duhet rrethanat faktike përkatëse dhe nuk ka shkelur të drejtat e Selimit. Megjithatë, Administratorja u udhëzua që të shqyrtojë më tej mundësitë dhe të bëjë përpjekje të arsyeshme lidhur me disa aspekte të vizitave personale jo të privilegjuara dhe thirrjeve telefonike.
Informacioni i detajuar gjendet në vendimin aktual.