Arkivi i të gjitha informimeve të mëparshme është i disponueshëm në këtë faqe ndërsa video incizimet mund të gjenden në kanalin tonë në Youtube
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: fillon dëshmia e dëshmitarit të 70-të të ZPS-së
Sipas përmbledhjes së lexuar nga ZPS-ja në gjykatë, dëshmitari i mbrojtur W03170 ishte anëtar i LDK-së dhe ishte arrestuar së bashku me një person tjetër. Gjatë transferimit në një nga vendet ku ishin ndaluar atyre iu ishin lidhur duart, ishin kërcënuar dhe ishin rrahur.
Aktgjykim mbi kërkesën referuese të Nasim Haradinajt drejtuar Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese
Më 31 maj 2024, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese lëshoi Aktgjykimin në lidhje me kërkesën referuese të paraqitur nga Nasim Haradinaj, i cili pretendonte shkelje të të drejtave dhe lirive të tij në kontekstin e procesit penal kundër tij në Dhomat e Specializuara të Kosovës. Në aktgjykim, Dhoma Kushtetuese e shpalli një pjesë të ankesës së tij të papranueshme dhe hodhi poshtë pjesën tjetër, duke konstatuar se nuk kishte asnjë shkelje të Kushtetutës së Republikës së Kosovës ose të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore.
Më shumë informacion në Komunikatën për shtyp, ndërsa të gjitha parashtrimet lidhur me këtë referim janë të disponueshme në dokumentet publike të gjykatës.
Informimi javor për median më 30 maj: transkripti
Transkripti i informimit të sotëm javor të DHSK-së për median ndodhet këtu.
Përfundon gjykimi Thaçi dhe të tjerët për këtë javë/rinis më 3 qershor
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit W01336, gjykimi në çështjen Thaçi dhe të tjerët përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Gjykimi do të rinis të hënën, më 3 qershor, në ora 09:00.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: fillon dëshminë dëshmitari i ri i ZPS-së (W01336)
Dje, dëshmitari Jan Kickert përfundoi dëshminë e tij dhe këtë mëngjes ZPS-ja thirri një tjetër dëshmitar, të mbrojtur me pseudonimin W01336. Sipas përmbledhjes së ZPS-së të lexuar në gjykatë, ky dëshmitar ishte arrestua në qershor të vitit 1999 nga individë të cilët mbanin shirita të UÇK-së, dhe më pas ishte ndaluar dhe keqtrajtuar në dy vende afër Prishtinës. Të nesërmen, dëshmitari, së bashku me dy të ndaluar të tjerë, arritën të arratiseshin dhe kërkuan ndihmë nga KFOR-i.
Informimi javor për median më 30 maj
Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 30 maj, në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected]. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së.
Thaçi dhe të tjerët: urdhërat gojorë të Trupit Gjykues lidhur me ekspedivitetin e çështjes
Pas konferencës për ecurinë e çështjes, të mbajtur më 27 maj, kur palët diskutuan njoftimin më të fundit të ZPS-së lidhur me listën e dëshmitarëve, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët lëshoi sot një numër urdhrash gojorë në gjykatë.
Ndër të tjera, Trupi Gjykues urdhëroi ZPS-në që deri më 16 shtator 2024 të dorëzojë njoftimin e mëtejshëm lidhur me listën e dëshmitarëve. Më pas do të caktohet një konferencë tjetër për ecurinë e çështjes për t’u lejuar palëve të paraqesin mendimet e tyre mbi këtë aspekt.
Gjithashtu, Trupi Gjykues urdhëroi ZPS-në që deri më 21 qershor 2024 të dorëzojë një plan të detajuar (udhërrëfyes), duke shpjeguar se si synojnë të paraqesin provat e tyre deri më 1 prill 2025. Ky plan, që do t'i ofrohet Trupit Gjykues në baza ex-parte, duhet të përfshijë informacione të tilla si listën e dëshmitarëve, renditjen e tyre dhe kohën për marrjen në pyetje të secilit dëshmitar. Trupi Gjykues beson se një udhërrëfyes i tillë do të garantojë që kjo çështje të zhvillohet në mënyrë ekspeditive.
Mbrojtja urdhërohet të japë vlerësime realiste, brenda tre ditëve pune nga marrja e informacionit, lidhur me marrjen në pyetje të grupit të ardhshëm të dëshmitarëve që do të thirren nga ZPS-ja në periudhën e ardhshme trejavore. Trupi Gjykues do t'i shqyrtojë këto vlerësime dhe, kur është e nevojshme, do të vendosë afatet kohore nëse ka mospërputhje ndërmjet vlerësimeve të Trupit Gjykues dhe atyre të Mbrojtjes.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: vazhdon dëshmia e Jan Kickert
Dëshmitari i ZPS-së, Jan Kickert, vazhdon dëshminë e tij këtë mëngjes. Pas përfundimit të marrjes në pyetje nga ekipet tjera të Mbrojtjes dje, ai është duke u marrë në pyetje nga ekipi i Mbrojtjes së Jakup Krasniqit.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: fillon dëshminë ish-diplomati austriak
Prokuroria thirri dëshmitarin e radhës mëngjesin e sotëm (i 68-ti deri më tani në gjykatë). Ky është Jan Kickert, i cili, sipas përmbledhjes së lexuar nga ZPS-ja në gjykatë, ishte diplomat austriak në Beograd gjatë periudhës përkatëse dhe kishte kontakte me udhëheqësit e UÇK-së për t'i përfshirë ata në proceset politike. Në vitin 1999, ai shërbeu si këshilltar politik i UNMIK-ut.
Ky dëshmitar po dëshmon pa masa mbrojtëse. Ju lutemi vini re se masat mbrojtëse, ndryshimi i fytyrës dhe zërit, u zbatuan gabimisht në fillim të kësaj dëshmie.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: përfundon seanca e sotme/seanca e rregullt nesër (28 maj)
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të ZPS-së, W04305, ka përfunduar seanca e pasdites së sotme. Gjykimi do të rinis nesër në mëngjes me një dëshmitar të ri të ZPS-së dhe do të vazhdojë në orarin e rregullt (09:00 - 16:30).