Subscribe to Live update from the Court
E.g., 20/11/2024
E.g., 20/11/2024
E hënë 27 Maj, 2024 17:30

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: dëshmitari i radhës i ZPS-së dëshmon përmes video-lidhjes

Prokuroria në çështjen Thaçi dhe të tjerët thirri dëshmitarin e 67-të pasditen e sotme. Ky dëshmitar me pseudonimin W04305 po dëshmon përmes video-lidhjes. Sipas përmbledhjes së lexuar nga ZPS-ja në gjykatë, ky dëshmitar është shqiptar i Kosovës, i cili ishte ndaluar dhe keqtrajtuar nga pjesëtarët e UÇK-së gjatë pranverës dhe verës së vitit 1998.

Orari i seancës për këtë dëshmi është ndryshuar më herët sipas vendimit të Trupit Gjykues. Vendimin mund ta gjeni këtu.

E hënë 27 Maj, 2024 09:15

Thaçi dhe të tjerët: orari për ditën e sotme (27 maj)/nuk ka seancë këtë mëngjes

Ju lutemi keni parasysh se Konferenca për ecurinë e çështjes do të fillojë në orën 14:30 dhe do të zgjasë deri në orën 16:00. Më pas, nga ora 16:30 deri në ora 19:30 do të mbahet seanca e rregullt. Rrjedhimisht, nuk do të ketë seancë në mëngjes.

Konferenca për ecurinë e çështjes është caktuar pas kërkesës së Mbrojtjes së Thaçit gjatë seancës së 23 majit, kur ata kërkuan nga Trupi Gjykues për të diskutuar mbi njoftimin më të fundit të ZPS-së lidhur me listën e dëshmitarëve e cila ishte dorëzuar më 21 maj.

E premte 24 Maj, 2024 15:30

Përfundon gjykimi Thaçi dhe të tjerët për këtë javë/rinis më 27 maj

Gjykimi në çështjen Thaçi dhe të tjerët përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Gjykimi do të rinis të hënën, më 27 maj, në ora 09:00.

E premte 24 Maj, 2024 14:45

P. Shala: vendim lidhur me vizitat dhe komunikimet e të akuzuarit në paraburgim

Në vendimin e bërë publik më 23 maj, Trupi Gjykues në çështjen Pjetër Shala refuzoi kërkesën e të akuzuarit për rishikim gjyqësor të vendimit më të fundit të Administratores në lidhje me vizitat dhe komunikimet e tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Ndër konstatimet e tjera, Trupi Gjykues përcaktoi se vendimi i Administratores për zbatimin e regjimit të ri lidhur me planifikimin e vizitave personale dhe përmes video-lidhjes për të akuzuarin ishte pjesë e kompetencave të saj, i domosdoshëm dhe nuk është i papërligjur.

Më shumë detaje mund të gjenden në vendimin aktual.

E premte 24 Maj, 2024 10:30

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: vazhdon dëshmia e dëshmitarit W04230

Këtë mëngjes, dëshmitari i mbrojtur W04230, i cili është dëshmitari i 66-të i Prokurorisë në gjykatë, ka vazhduar dëshminë e nisur pasditen e djeshme.

E enjte 23 Maj, 2024 16:30

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: dëshmon një tjetër dëshmitar i mbrojtur

Prokuroria thirri dëshmitarin e radhës pasditen e sotme (i 66-ti deri më tani në gjykatë). Ky është një tjetër dëshmitar i mbrojtur me pseudonimin W04230, dëshmia e të cilit po mbahet viva voce, që do të thotë se është një dëshmi e re e dhënë gojarisht në gjykatë pa deklaratë paraprake të dëshmitarit.

E enjte 23 Maj, 2024 14:30

Informimi javor për median më 23 maj: transkripti

Transkripti i informimit të sotëm javor të DHSK-së për median ndodhet këtu.


Angela Griep, zëdhënëse e DHSK-së

Arkivi i të gjitha informimeve të mëparshme është i disponueshëm në këtë faqe ndërsa video incizimet mund të gjenden në kanalin tonë në Youtube

E enjte 23 Maj, 2024 09:45

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: dëshmitarit W04710 vazhdon dëshminë/orari i modifikuar i gjykatës për sot

Dëshmitari i mbrojtur W04710 vazhdon dëshminë këtë mëngjes.

Ju lutemi keni parasysh orarin e modifikuar të seancave gjyqësore për ditën e sotme: seanca e parë do të zgjasë deri në orën 10:30, pasuar nga një pushim prej 15 minutash. Seanca e dytë do të vazhdojë deri në orën 12:00.  Pushimi i drekës do të jetë prej orës 12:00 deri në ora 14:30, ndërsa seanca e fundit do të mbahet prej orës 14:30 deri në 16:30.

E mërkurë 22 Maj, 2024 17:00

Informimi javor për median më 23 maj

Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 23 maj, në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected]. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së.

E mërkurë 22 Maj, 2024 16:00

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: fillon dëshminë dëshmitari i radhës i ZPS-së

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Johan Rudolph Fritsch, Prokuroria thirri dëshmitarin e radhës pasditen e sotme. Ky është dëshmitar i mbrojtur me pseudonimin W04710. Sipas përmbledhjes së lexuar nga ZPS-ja në gjykatë ky dëshmitar është i afërm i një viktime që pretendohet se është zhdukur me forcë dhe vrarë në Drenoc. Ky është dëshmitari i 65-të i Prokurorisë deri më tani në gjykatë.