Arkivi i të gjitha informimeve të mëparshme është i disponueshëm në këtë faqe ndërsa video incizimet mund të gjenden në kanalin tonë në Youtube
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: ZPS-ja thërret dëshmitarin e 92-të
Këtë mëngjes nisi dëshmia e dëshmitarit të mbrojtur të ZPS-së W04590. Sipas ZPS-së, në vitin 1998 dëshmitari ishte civil shqiptar i Kosovës kur ishte ndaluar në një bazë të UÇK-së ku i ishte nënshtruar keqtrajtimit.
Ky është dëshmitari i 92-të deri më tani në gjykatë.
Informimi javor për median më 26 shtator: transkripti
Transkripti i informimit të sotëm javor të DHSK-së për median ndodhet këtu.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët përfundoi për këtë javë/rinis më 30 shtator
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Procesi gjyqësor do të vazhdojë të hënën, 30 shtator, në orën 09:00.
Çështja Mustafa: Gjykata Kushtetuese hedh poshtë kërkesën e mbrojtësit të viktimave dhe të ZPS-së për zgjatjen e afatit
Më 25 shtator 2024, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese (DHSGJK) hodhi poshtë kërkesën e mbrojtësit të viktimave dhe të ZPS-së për zgjatjen e afatit për dorëzimin e referimeve të tyre lidhur me vendimet mbi dënimin e Salih Mustafës. DHSGJK-ja nuk ishte e bindur se të dy palët kanë treguar arsye të vlefshme që do të justifikonin zgjatjen përtej afateve kohore të përcaktuara në Rregullën 6 të Rregullores së DHSGJK-së.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: Prokuroria thërret dëshmitarin e saj të 91-të në gjykatë
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit W04422 dje, ZPS-ja thirri dëshmitarin e ri këtë mëngjes. Sipas ZPS-së, ky dëshmitar, me pseudonimin W04669, u arrestua nga disa pjesëtarë të UÇK-së në vitin 1999 dhe më pas u dërgua në një kompleks të UÇK-së ku i ishte nënshtruar keqtrajtimit.
Ju lutemi vini re se seanca e sotme do të jetë më e shkurtër se zakonisht. Do të ketë pushim dreke nga ora 13:00 deri në orën 14:00, pasuar nga seanca e fundit nga ora 14:00 deri në orën 15:00.
Informimi javor për median më 26 shtator
Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 26 shtator, në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected]. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së.
Gjykatësja e vetme hedh poshtë kërkesën për ndryshimin e kushteve të lirimit të Isni Kilajt
Në versionin publik të vendimit të dorëzuar më 24 shtator 2024, gjykatësja e vetme në çështjen Isni Kilaj hodhi poshtë kërkesën e Mbrojtjes për ndryshimin e kushteve të lirimit të Isni Kilajt, të cilat ishin përcaktuar në maj të këtij viti. Mbrojtja kërkoi ndryshimin e përkohshëm të kushteve aktuale për ta lejuar atë të udhëtojë në Shqipëri, mirëpo gjykatësja Marjorie Masselot (Marzhori Masëlo) përcaktoi se ndryshimet e propozuara nuk do të trajtonin mjaftueshëm rreziqet ekzistuese të përshkruara në nenin 41(6)(b) të Ligjit.
Çështja P. Shala: Aktgjykimi i disponueshëm në anglisht
Versioni i redaktuar publik i aktgjykimit kundër Pjetër Shalës, i shpallur më 16 korrik 2024, është i disponueshëm në dokumentet publike të gjykatës, në anglisht, si dhe në faqen e çështjes.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: ZPS-ja thërret dëshmitarin e saj të 90-të në gjykatë
Dëshmitari i ri i mbrojtur i ZPS-së W04422 ka nisur dëshminë këtë mëngjes përmes video-lidhjes. Dëshmia e këtij dëshmitarit do të zhvillohet në seancë të mbyllur.
Januzi dhe të tjerët: Konferencë përgatitore për gjykimin më 7-9 tetor
Trupi Gjykues në çështjen Januzi, Bahtijari dhe Haxhi Shala ka caktuar Konferencën përgatitore për gjykimin më 7,8 dhe 9 tetor 2024, nga ora 09:30 deri në orën 17:30. Gjithashtu, janë rezervuar edhe datat 10 dhe 11 tetor, me seancat e planifikuara nga ora 09:30 deri në orën 16:00, nëse është e nevojshme. Vendimi i Trupit Gjykues, i cili përfshin detaje të tjera si parashtresat e palëve në lidhje me hetimet e tyre, nxjerrjen e materialeve, datën e propozuar për fillimin e gjykimit më 11 nëntor dhe dëshmitë e dëshmitarëve, ndodhet këtu.