Arkivi i të gjitha informimeve të mëparshme është i disponueshëm në këtë faqe ndërsa video incizimet mund të gjenden në kanalin tonë në Youtube
Caktohet Paneli i Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi referimet e mundshme lidhur me dënimin e Mustafës
Ju njoftojmë për çështjen më të fundit në Gjykatën Kushtetuese e cila ka të bëjë me çështjen Salih Mustafa. Më 23 shtator 2024, Kryetarja Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Kushtetuese për të vendosur mbi kërkesën e përbashkët të avokatit të viktimave dhe të ZPS-së lidhur me zgjatjen e afatit për dorëzimin e referimeve të tyre, sipas nenit 49 të Ligjit. Kjo kërkesë vjen pas vendimit të Gjykatës Supreme më 29 korrik dhe dënimit të ri për Mustafën nga Paneli i Gjykatës së Apelit më 10 shtator. Lidhur me këtë kërkesë dhe çdo çështje përkatëse do të vendosin gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët përfundoi për ditën e sotme/rinis të mërkurën, më 25 shtator
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Demush Krasniqi, gjykimi në çështjen Thaçi dhe të tjerët përfundoi për ditën e sotme. Seanca e planifikuar për nesër, 24 shtator, është anuluar, ndërsa procesi gjyqësor do të vazhdojë të mërkurën, 25 shtator, në orën 09:00.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: ZPS-ja thërret dëshmitarin e ri/orari i modifikuar të enjten (26/09)
Demush Krasniqi është dëshmitari i ri i ZPS-së, dëshmia e të cilit filloi këtë mëngjes. Sipas ZPS-së, Krasniqi iu bashkua UÇK-së rreth majit të vitit 1998 dhe më vonë shërbeu si pjesëtar i policisë ushtarake në Brigadën 122. Ai është dëshmitari i 89-të i ZPS-së në gjykatë deri më tani. Siç njoftoi Trupi Gjykuessot në mëngjes, seanca e caktuar për të enjten (26 shtator) do të përfundojë në ora 15:00.
Për informacion të përditësuar mbi orarin e seancave të DHSK-së, ju lutemi referojuni kalendarit tonë në internet.
P. Shala: Konferenca para apelit këtë mëngjes
Ju lutemi vini re se transmetimi i Konferencës para apelit në çështjen Pjetër Shala, e cila do të mbahet sot në ora 10:00, do të bëhet me një vonesë prej 45 minutash. Klikoni këtu për të përcjellur transmetimin në shqip.
Caktohet Paneli i Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesën më të fundit të H. Shalës
Më 19 shtator 2024, Kryetarja e DHSK-së Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesën e Haxhi Shalës për rishqyrtimin e vendimit të mëparshëm të Gjykatës Supreme më 9 shtator 2024. Me vendimin e mëparshëm ishte hedhur poshtë kërkesa e të akuzuarit për mbrojtjen e ligjshmërisë lidhur me mbajtjen e tij në paraburgim. Paneli i njëjtë, i përbërë nga gjykatësit Ekaterina Trendafilova (kryesuese), Kristinë van den Vijngart dhe Daniel Fransen, do të vendosë lidhur me kërkesën më të fundit. Vendimi i caktimit mund të shihet këtu.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët përfundoi për këtë javë/rinis më 23 shtator
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit W04366, gjykimi në çështjen Thaçi dhe të tjerët përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Procesi gjyqësor do të vazhdojë të hënën, 23 shtator, në orën 09:00.
Informimi javor për median më 19 shtator: transkripti
Transkripti i informimit të sotëm javor të DHSK-së për median ndodhet këtu.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: përfundon dëshmia e Berishës/dëshmitari i ri në gjykatë
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të ZPS-së, Halim Berisha, Prokuroria thirri sot në gjykatë dëshmitarin e saj të 88-të. Ky është dëshmitari i mbrojtur W04366, i cili, sipas ZPS-së, u arrestua nga disa pjesëtarë të UÇK-së në vitin 1999 dhe më vonë u mor dhe u keqtrajtua në Fabrikën e Metalit në Kukës, Shqipëri. Edhe ky dëshmitar është duke dëshmuar përmes videolidhjes.
Thaçi dhe të tjerët: fillon dëshmia e dëshmitarit të ri të ZPS-së (i 87-ti në gjykatë)
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të 86-të të Prokurorisë W01129, sot nisi dëshmia e dëshmitarit të ri të ZPS-së, Halim Berisha. Sipas Prokurorisë, në prill të vitit 1999, Berisha kishte shoqëruar një person në kompleksin Zllash në Kosovë dhe më vonë kishte mësuar për vdekjen e këtij personi. Kjo dëshmi po bëhet përmes videolidhjes ndërsa dëshmitari ndihmohet nga një mbrojtës kujdestar.
Informimi javor për median më 19 shtator
Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 19 shtator, në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected]. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së.