Subscribe to Live update from the Court
E.g., 08/07/2024
E.g., 08/07/2024
E enjte 21 Dhjetor, 2023 15:45

Thaçi dhe të tjerët: vendimi ndaj ankesave të Mbrojtjes lidhur me kushtet e paraburgimit

Më 20 dhjetor 2023, Trupi Gjykues nxori vendimin e tij për ankesat e Selimit (të cilave u janë  bashkuar Thaçi dhe Veseli) lidhur me zbatimin nga Administratorja të vendimit të Trupit Gjykues të 1 dhjetorit në lidhje me kushtet e ndryshuara të paraburgimit. Trupi Gjykues vuri në dukje se ankesat e tilla fillimisht duhet t'i dorëzohen drejtpërdrejt Administratores dhe, nëse refuzohen, të paraburgosurit mund të kërkojnë, brenda 30 ditëve, shqyrtim gjyqësor të vendimit të Administratores nga Trupi Gjykues. Si rrjedhojë, Trupi Gjykues refuzoi ankesat e bashkuara duke i konstatuar ato në mospërputhje me procedurën e përcaktuar në Udhëzimin e punës në lidhje me ankesat si dhe të parakohshme. Më shumë detaje në vendim.

Në vijim gjenden publikimet tona të mëparshme për këtë çështje: 23 nëntor; 4 dhjetor.

E hënë 18 Dhjetor, 2023 09:00

Pushimi dimëror i gjykatës zgjat deri më 5 janar 2024

Siç është njoftuar në kalendarin tonë, pushimi dimëror në DHSK fillon të hënën, më 18 dhjetor 2023, dhe përfundon më 5 janar 2024. Gjatë kësaj periudhe nuk mbahen seanca gjyqësore dhe disa nga shërbimet jothelbësore do të jenë në minimum. Megjithatë, gjykata mbetet plotësisht funksionale dhe puna vazhdon në të gjitha seksionet e DHSK-së. Gjatë pushimit mund të paraqiten parashtrime dhe përveç nëse gjykatësit kanë urdhëruar ndryshe, afatet gjyqësore vazhdojnë të jenë në fuqi.

E premte 15 Dhjetor, 2023 17:30

Çështja Haxhi Shala: Videoincizimi i paraqitjes së mëtejshme në Youtube

Ju informojmë se videoincizimi i Konferencës për ecurinë e çështjes/paraqitjes së mëtejshme, e cila u zhvillua sot, më 15 dhjetor, në çështjen Haxhi Shala, është i disponueshëm në të tri gjuhët në kanalin tonë në Youtube.

E premte 15 Dhjetor, 2023 11:30

Haxhi Shala vetëdeklarohet i pafajshëm lidhur me të gjitha akuzat

Gjatë konferencës së sotme për ecurinë e çështjes, Haxhi Shala kërkoi që të vetëdeklarohet lidhur me fajësinë apo pafajësinë e tij. Gjykatësi i Procedurës Paraprake e miratoi kërkesën. I akuzuari  u vetëdeklarua i pafajshëm për të tri pikat e aktakuzës kundër tij.

E enjte 14 Dhjetor, 2023 17:15

Mustafa: Videoincizimi i aktgjykimit të apelit në Youtube

Ju informojmë se videoincizimi i aktgjykimit të apelit në çështjen Mustafa është i disponueshëm në kanalin Youtube. Klikoni këtu për të shikuar videoncizimin në shqip.

E enjte 14 Dhjetor, 2023 14:45

Çështjet gjyqësore të Januzit dhe Bahtijarit dhe të Haxhi Shalës: Aktakuza e përbashkët do të paraqitet në janar

Sot, gjatë konferencës për ecurinë e çështjes në çështjen gjyqësore të Januzit dhe Bahtijarit, Gjykatësi i Procedurës Paraprake Nikola Giju urdhëroi Prokurorinë që të dorëzojë aktakuzën e përbashkët të propozuar prej saj deri më 12 janar 2024, në orën 16:00. Kjo ka të bëjë me kërkesën e fundit të paraqitur nga ZPS-ja më 13 dhjetor për bashkimin e çështjeve gjyqësore kundër Januzit dhe Bahtijarit dhe kundër Haxhi Shalës në një gjykim të vetëm.

E enjte 14 Dhjetor, 2023 14:30

Informimi javor i DHSK-së për median më 14 dhjetor 2023: transkripti

Transkripti i informimit të sotëm javor të DHSK-së për median ndodhet këtu.


Michael Doyle, zëdhënës i DHSK-së

Arkivi i të gjitha informimeve të mëparshme është i disponueshëm në këtë faqe ndërsa video incizimet mund të gjenden në kanalin tonë në Youtube

E enjte 14 Dhjetor, 2023 13:30

Miratohet modifikimi i dënimit për Haradinajn

Më 12 dhjetor 2023, Kryetarja e DHSK-së Trendafilova vendosi të modifikojë dënimin e Nasim Haradinajt për lirimin e tij më 14 dhjetor ose rreth kësaj date, sipas kushteve të përcaktuara në vendim.

Më shumë hollësi në komunikatën për shtyp si dhe në vendimin e Kryetares.

E enjte 14 Dhjetor, 2023 12:30

Mustafa: Aktgjykimi i apelit i disponueshëm në anglisht

Aktgjykimi i apelit i shqiptuar kundër Salih Mustafës sot, më 14 dhjetor, është i disponueshëm në dokumentet publike të gjykatës, në anglisht.

E enjte 14 Dhjetor, 2023 11:15

Aktgjykimi i apelit në çështjen Mustafa

Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit rrëzoi tetë pika të paraqitura nga Mustafa që kundërshtonin Aktgjykimin e Trupit Gjykues, ndërsa miratoi pjesërisht kundërshtimin e tij ndaj dënimit me 26 vjet burgim nga Trupi Gjykues për tri pikat e Aktakuzës që ishte shpallur fajtor.  Paneli i Apelit zvogëloi dënimin e njësuar të Mustafës nga 26 në 22 vjet burgim, duke llogaritur kohën e kaluar në paraburgim.

Më shumë hollësi në Komunikatën për shtyp.