• Informimi javor për median më 31 gusht

    Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 31 gusht, në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected]. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së. 

    Image
  • Pjetër Shala: Gjykata Kushtetuese hedh poshtë referimin më të fundit lidhur me shkeljet e të drejtave themelore

    Më 29 gusht 2023, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese (DHSGJK), e përbërë nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti, lëshoi vendimin e saj mbi referimin më të fundit të Pjetër Shalës në lidhje me shkeljet e pretenduara të të drejtave të tija themelore, dorëzuar më 10 korrik të këtij viti. Paneli konstatoi se referimi është i parakohshëm dhe rrjedhimisht e shpalli të papranueshëm në përputhje me nenin 113(7) të Kushtetutës, nenin 49(3) të Ligjit dhe rregullën 14(f) të Rregullores së Punës të DHSGJK-së. Vendimi i Panelit ndodhet këtu.

    Lidhjet direkte të të gjitha vendimeve të DHSGJK-së lidhur me referimet e Shalës (3 deri më tani) mund t’i gjeni në faqen e çështjes gjyqësore.

  • Gjykimi i Thaçit dhe të tjerëve: dëshmon dëshmitari i 19-të i ZPS-së

    Dëshmitari i ri i mbrojtur (me pseudonimin W04566) ka nisur të dëshmojë në gjykimin e Thaçit dhe të tjerëve. Sipas përmbledhjes së shkurtër të lexuar në gjykatë nga ZSP-ja, dëshmia e këtij dëshmitari ka të bëjë me ndalimin dhe zhdukjen e pretenduar të një familjari të dëshmitarit në Drenoc. Sikur në rastin e dëshmitarit të mëparshëm (W03832), dëshmia e të cilit përfundoi më herët sot, edhe  dëshmia e këtij dëshmitari pritet të mbahet kryesisht në seancë të mbyllur për publikun.

  • Thaçi dhe të tjerët: dëshmitari i 18-të i ZPS-së fillon dëshminë e tij

    Dëshmitari i mbrojtur W03832 ka nisur dëshminë këtë mëngjes në gjykimin ndaj Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit. Dëshmia e këtij dëshmitari pritet të mbahet kryesisht në seancë të mbyllur për publikun.

  • Çështja Shala: përfundon seanca e sotme / argumentet e Mbrojtjes fillojnë në javën e 18 shtatorit

    Gjatë ditës së dytë të Konferencës Përgatitore të Mbrojtjes në çështjen Shala sot, Trupi Gjykues I lëshoi një numër udhëzimesh dhe urdhrash gojorë për organizimin e paraqitjes së provave nga Mbrojtja. Më poshtë janë disa prej tyre:

    • Duke iu referuar rregullës 137 (relevanca e provave) si dhe rregullës 143 (4), e cila bën fjalë për efektivitetin dhe humbjen e papërligjur të kohës,  Trupi Gjykues urdhëroi Mbrojtjen që të heqë pesë emra nga lista e saj e dëshmitarëve. Rrjedhimisht, Mbrojtja duhet të paraqesë listën e rishikuar të dëshmitarëve deri më 29 gusht 2023.

    • Trupi Gjykues i caktoi Mbrojtjes 40,5 orë për paraqitjen e argumenteve të veta. ZPS-së i është caktuar kohë e njëjtë si ajo e përdorur nga Mbrojtja. për marrjen në pyetje të secilit dëshmitar të Mbrojtjes, ndërsa Mbrojtësi i Viktimave do të ketë 25% të kohës së përdorur në mënyrë efektive nga Mbrojtja.

    • Paneli njoftoi se paraqitja e argumenteve nga Mbrojtja do të fillojë në javën që fillon më 18 shtator dhe data e saktë do të njoftohet në kohën e duhur.