Pas shqiptimit të Aktvendimit të dytë të Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, sot, Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, dha deklaratën në vijim:

"Sot është një ditë e rëndësishme për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar. Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese, në vendimin e shpallur nga Kryetarja e kësaj Dhome, konstatoi se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave është në përputhje me Kushtetutën e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare për të drejtat e njeriut. Ky vendim është i rëndësishëm për institucionin tonë në shumë aspekte.

Së pari, vendimi i Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese garanton se Rregullorja  përfshin standardet më të larta të të drejtave të njeriut. Së dyti, me miratimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave, Dhomat e Specializuara mundësojnë një sistem të fortë për mbrojtjen e individëve të cilët mund të jenë të rrezikuar për shkak të pjesëmarrjes së tyre në procedura para Dhomave të Specializuara. Së treti, me hyrjen në fuqi të Rregullores, pas shtatë ditësh nga dita e sotme nuk do të ketë kurrfarë pengese ligjore për marrjen e çfarëdo parashtrimi ose aktakuze nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.

Vendimi i shqiptuar sot është hapi më i fundit nga një sërë hapash të ndërmarra në më pak se gjashtë muaj që na sollën këtu ku jemi sot, e unë do të jap një përmbledhje të shkurtër të këtyre hapave.

Më 12 janar 2017, fillova detyrën e Kryetares së Dhomave të Specializuara dhe menjëherë u angazhova me përgatitjen e disa dokumenteve ligjore për shqyrtim dhe miratim prej gjykatësve të Plenares.

Më 7 shkurt 2017, pas një procesi rrënjësor të verifikimit të kompetencave dhe përvojës së çdo kandidati, u përzgjodhën dhe u caktuan gjykatësit në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë, ashtu siç e kërkon Ligji për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.

Në më pak se pesë javë dhe pas një angazhimi të jashtëzakonshëm e të bashkërenduar dhe shkëmbimi mendimesh midis gjykatësve, Dhomat e Specializuara të Kosovës mbajtën një seancë plenare prej vetëm katër ditësh, gjatë së cilës në mënyrë efikase dhe të shpejtë u diskutuan dhe miratuan tre dokumente ligjore më 17 mars 2017, përkatësisht Rregullorja për Caktimin e Gjykatësve në një çështje gjyqësore, Kodi i Etikës Gjyqësore ku përcaktohen standardet e etikës dhe procedura disiplinore për gjykatësit në rast kundërvajtjeje dhe Rregullorja e Procedurës dhe e Provave.

Rregullorja për Caktimin e Gjykatësve në një çështje gjyqësore dhe Kodi i Etikës Gjyqësore hynë në fuqi menjëherë. Nga fundi i marsit, Rregullorja e Procedurës dhe e Provave iu referua për shqyrtim Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese, në përputhje me nenin 19(5) të Ligjit.

Më 26 prill 2017, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese nxori aktvendimin e vet të parë ku konstatoi se vetëm nëntë prej 208 rregullave nuk ishin plotësisht në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Pa vonesë, mblodha Plenaren e dytë të gjykatësve për rishikimin dhe përfundimisht miratimin e një versioni të Rregullave të rishikuara. Seanca plenare u mbajt nëpërmjet mjeteve të komunikimit dhe më 31 maj 2017, Rregullat e miratuara iu referuan përsëri Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese.

Sot, më 28 qershor 2017, gjykatësit e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese nxorën vendimin në të cilin konstatuan se rregulla 19, rregulla 30 deri në rregullën 39, rregulla 41, rregulla 57, rregulla 137 dhe rregulla 161 nuk janë në mospërputhje me Kushtetutën e Kosovës. Si rrjedhojë, Rregullorja e Procedurës dhe e Provave në tërësi, në formën e miratuar dhe me ndryshimet e gjykatësve të Plenares, përputhet me Kapitullin II të Kushtetutës së Kosovës. Me hyrjen në fuqi të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, institucioni ynë është tërësisht funksional në aspektin gjyqësor dhe i gatshëm për nisjen e procedimeve.

Ndërkohë Dhomat e Specializuara janë duke përgatitur për miratim shumë dokumente ligjore të brendshme të cilat do të rrisin efikasitetin e institucionit tonë.

Në përfundim, dëshiroj të falënderoj të gjithë gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës për përkushtimin, angazhimin dhe profesionalizmin e jashtëzakonshëm që treguan gjatë muajve të fundit në hartimin, ndryshimin, rishikimin dhe konfirmimin e dokumenteve normative kyçe për institucionin tonë. Tani, ne gjykatësit e Dhomave të Specializuara jemi të gatshëm t’i kryejmë detyrat tona gjyqësore në mënyrë të pavarur, të paanshme dhe të ndërgjegjshme, në përputhje me betimin tonë solemn."

Burimi: 
Dhomat e specializuara