Sot, Dhomat e Specializuara të Kosovës nxjerrin faqen e re në Internet. Në një kohë që adresa në Internet mbetet e pandryshuar (www.scp-ks.org), faqja e re përmban një strukturë dhe përmbajtje të ripërtërirë me lidhje të qasshme dhe intuitive që çojnë në informacionin më të rëndësishëm, ku përfshihen lidhjet që çojnë në dokumentacionin gjyqësor dhe për mundësimin e përcjelljes së seancave në të ardhmen nëpërmjet transmetimit përmes kësaj faqeje.
Gjykatësja Ekaterina Trendafilova, Kryetare e Dhomave të Specializuara, e cilësoi nxjerrjen e faqes së re një arritje tjetër të Dhomave të Specializuara që prej fillimit të punës së këtij institucioni. Ajo deklaroi, “Sot, jemi edhe më pranë të gjithë atyre që dëshirojnë të përcjellin punën tonë dhe kanë interes për mandatin tonë. Faqja e re është shumë e lehtë në përdorim dhe është një mjet i rëndësishëm për të mundësuar publicitetin e procedurave tona gjyqësore në të ardhmen, si një garanci themelore për gjykim të drejtë e të paanshëm”.
Një veçori e rëndësishme e faqes së re është mundësia e përcjelljes së seancave gjyqësore dhe/ose aktiviteteve të tjera, përmes transmetimit me vonesë apo të njëkohshëm prej faqes në të tri gjuhët zyrtare (shqipe, serbishte, dhe anglishte). Synimi është që procedurat para DHSK-së të jenë të përcjellshme prej çdo vendi ku ka lidhje interneti.
Faqja e re përmban një bazë të dhënash të dokumenteve gjyqësore publike (PCR) ku dokumentet publike të DHSK-së janë në të tri gjuhët zyrtare të institucionit. Baza e të dhënave është lehtësisht e hulumtueshme nëpërmjet funksioneve të thjeshta dhe më të detajuara të kërkimit. Ndër risitë përfshihen edhe mundësia për kërkimin e llojeve të ndryshme të dokumenteve në bazë të nivelit të gjykatës dhe shpalosja automatike e parashtrimeve përkatëse.
Elemente shtesë të faqes së re janë:
- Ballina ka një pamje të ripërtërirë me kuti që çojnë menjëherë në rubrika të ndryshme të faqes.
- Në rubrikën Dokumente, gjetja e dokumenteve është më e lehtë për arsye të ndarjes së tyre në kategori të ndryshme si Dokumente Juridike, Video të aktiviteteve gjyqësore dhe të tjera.
- Rubrika Lajme tashmë i ndan nënrubrikat si Komunikata për Shtyp, lajmet në Internet ose lloje të tjera lajmesh, për të mundësuar hulumtim më të mirë.
Me kalimin e kohës do të shtohen edhe risi të tjera si rubrika e informacionit për çështjet gjyqësore me nisjen e procedurave dhe lidhje që çojnë në platforma të mediave sociale.
Kryetare Trendafilova u shprehu mirënjohjen punonjësve të cilët kanë punuar me përkushtim për krijimin e faqes së re.
Që prej daljes në shtator 2016, faqja e DHSK-së është vizituar nga më shumë se 85.000 vizitorë dhe është parë më shumë se 700.000 herë.