Më 7 dhe 8 mars 2019, gjykatësit e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) u mblodhën në Hagë për Plenaren e katërt.
Duke qenë se Rregullorja e Procedurës dhe e Provave, miratuar më 2017, ende nuk është provuar në praktikë, këtë herë nuk u propozuan ndryshime.
Kryetarja i informoi gjykatësit për zhvillimet më të fundit në lidhje me çështje institucionale aktuale. Gjykatësit gjithashtu u informuan nga Administratorja dhe Prokurori i Specializuar për zhvillimet në Zyrën Administrative dhe atë të Prokurorit të Specializuar. Gjithashtu, gjykatësve iu dhanë informacione të ndryshme të brendshme në mënyrë që ata të marrin më shumë njohuri për çështje që mund të dalin në procedurat para DHSK-së në të ardhmen.
Në përputhje me kornizën ligjore të DHSK-së, gjykatësit janë fizikisht të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara sipas nevojës dhe me kërkesë të Kryetares, për të ushtruar funksionet që kërkojnë praninë e tyre. Kështu ndodh edhe me seancat plenare, të cilat kanë për qëllim mundësimin e diskutimeve midis gjykatësve dhe zakonisht zhvillohen në selinë e Dhomave të Specializuara ku gjykatësit janë fizikisht të pranishëm.