Sot në Hagë, gjykatëse Ekaterina Trendafilova iu drejtua mediave në konferencën e saj të parë për shtyp që prej marrjes së detyrës si Kryetare e Dhomave të Specializuara të Kosovës më 12 janar 2017. Ajo shpaloi vizionin dhe përparësitë e veta në lidhje me themelimin e Dhomave të Specializuara, rezultatet e arritura si dhe afatet në të ardhmen.

Gjykatëse Trendafilova theksoi se që prej emërimit, përparësia e saj numër një dhe synimi i saj kryesor ka qenë ngritja e një strukture ligjore për Dhomat e Specializuara.

“Në të gjithë përpjekjet e mia të deritashme, kam qenë fuqimisht e motivuar që institucioni ynë t’u përmbahet standardeve më të larta në fushën ligjore, që të ngulisim praktikat më të mira, të marrim vendime gjyqësore sa më cilësore dhe t’i kryejmë detyrat tona me profesionalizëm dhe ndershmëri maksimale”, deklaroi Kryetare Trendafilova.

Ajo shprehu kënaqësinë me përparimin e deritanishëm të Dhomave të Specializuara, arritur brenda afateve ambicioze dhe pa vonesa.

Pas një procesi aktiv dhe rigoroz të përzgjedhjes që çoi në emërimin e Gjykatësve Ndërkombëtarë në Regjistër, këta gjykatës miratuan dokumente kyçe, të nevojshme për kryerjen e procedurave në Dhomat e Specializuara: Rregullorja e Procedurës dhe e Provave (që rregullon kryerjen e procedurave penale në të gjitha nivelet e Dhomave të Specializuara), Rregullorja për Caktimin e Gjykatësve (ku përcaktohen kriteret mbi bazën e të cilave Kryetarja cakton gjykatësit e Regjistrit në procedura konkrete) dhe Kodi i Etikës Gjyqësore (që përcakton standardet profesionale në fuqi për gjykatësit). Kryetare Trendafilova theksoi një sërë konceptesh që janë risi në dokumentet e miratuara. 

“Me miratimin e Rregullores së Procedurës dhe të Provave në më pak se dy muaj pas emërimit të tyre, gjykatësit kanë treguar profesionalizëm dhe dijeni të shkëlqyera dhe përkushtim të pandalshëm për të mundësuar procedura efikase dhe të drejta para Dhomave të Specializuara,” deklaroi Kryetare Trendafilova.

Lidhur me vendimin e shqiptuar nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese më 26 prill 2017 e cila konstatoi se për 9 nga 208 rregulla të Rregullores së Procedurës dhe të Provave, nevojitej shqyrtim i mëtejshëm nga gjykatësit e Plenares, ajo u shpreh: “Shqyrtimi dhe përfundimet e Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese në asnjë mënyrë nuk zbehin cilësinë e punës së kryer nga Plenarja. Nuk është e pazakontë që dokumentet legjislative t’i nënshtrohen një analize të imtësishme, dhe në këtë mënyrë përmirësohet cilësia e tyre. Kjo është një provë dhe garanci më shumë se procedurat para Dhomave të Specializuara të Kosovës do të kryhen në mënyrë profesionale, të pavarur dhe të paanshme.” Gjithashtu, ajo foli në lidhje me të nëntë rregullat e përmendura më lart dhe shpjegoi në hollësi pikat e diskutueshme.

Në lidhje me hapat vijues, Kryetare Trendafilova bëri të ditur se tashmë ajo është në procesin e thirrjes së seancës së dytë plenare të gjykatësve. Pritet që duke punuar në mënyrë të përshpejtuar, nga fundi i majit 2017 të miratohen korrigjimet e nevojshme të këtyre rregullave. Më pas, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese do t’i shqyrtojë sërish këto rregulla.

Rregullorja e Procedurës dhe e Provave do të hyjë në fuqi shtatë ditë pasi të jetë vendosur se është në përputhshmëri me Kushtetutën. Nga ai moment, Dhomat e Specializuara do të mund të pranojnë dorëzimin e parashtrimeve dhe të kryejnë procedura penale.

Gjithashtu, Kryetare Trendafilova nënvizoi rëndësinë e raportimit profesional dhe të saktë prej mediave dhe nevojën e dhënies së rregullt dhe transparente të informacionit prej Dhomave të Specializuara të Kosovës.

Së fundi ajo theksoi: “E konsideroj nder që m’u besua udhëheqja e e këtij misioni për të mundësuar që Dhomat e Specializuara të bëjnë drejtësi në mënyrë efikase, të shpejtë, ekonomike, të pavarur nga çdo ndërhyrje dhe duke mbrojtur e garantuar sigurinë e dëshmitarëve dhe të drejtat themelore të të akuzuarve.”

Burimi: 
Dhomat e specializuara