Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), gjykatëse Ekaterina Trendafilova i shprehu sot urimet e saj të sinqerta znj. Kim Uest (Kim West) për emërimin e saj si Prokurore e Specializuar.

Duke iu referuar përvojës së gjerë të Prokurores së Specializuar në të drejtën penale si në nivel shtetëror ashtu edhe atë ndërkombëtar, Kryetare Trendafilova theksoi se znj. Uest “padyshim që  do t’i shërbejë më së miri Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe do të kontribuojë qenësishëm për përmbushjen efikase të mandatit të kësaj zyre”.

Kryetare Trendafilova deklaroi se ajo “pret me kënaqësi të krijojë një marrëdhënie pune produktive me znj. Uest në nivel institucional dhe i uroi çdo të mirë zonjës Uest me fillimin e detyrës si Prokurore e tretë e Specializuar e institucionit.

Kryetare Trendafilova gjithashtu vlerësoi volumin e punës së ndërmarrë nga paraardhësi, z. Xhek Smith, gjatë mandatit të tij si Prokuror i Specializuar, si edhe të z. Aleks Uajting, ushtrues i detyrës së Prokurorit të Specializuar i cili mundësoi vijimësinë e punës së Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS) pas largimit të z. Smith.

Së fundi, Kryetare Trendafilova vërejti se me emërimin e znj. Uest, DHSK-ja dhe ZPS-ja aktualisht kanë tri drejtuese femra, që tregon përparimin që po bëhet në fushën e të drejtës penale ndërkombëtare.

Burimi: 
Dhomat e specializuara