Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK), Ekaterina Trendafilova u takua dje me shoqërinë civile dhe gazetarë në Kosovë nëpërmjet internetit. Gjatë këtyre aktiviteteve ajo i përditësoi ata lidhur me statusin e çështjeve gjyqësore aktualisht para gjykatës, dhe iu përgjigj pyetjeve.
Kryetare Trendafilova foli për atë se si struktura e Dhomave të Specializuara të Kosovës pasqyron çdo shkallë të sistemit gjyqësor në Kosovë, ndërsa gjykata funksionon sipas një ligji të veçantë, i miratuar nga Kuvendi i Kosovës dhe ka rregulloren e vet të procedurës dhe të provave.
“Krijimi i dhomave të veçanta dhe autonome u bazua në nevojën për të siguruar që proceset të zhvillohen në mënyrë të pavarur dhe të paanshme, pa ndërhyrje politike dhe rrjedhimisht për mbrojtjen e sigurisë, jetës dhe mirëqenies së dëshmitarëve dhe viktimave të mundshme,” tha Trendafilova.
Kryetarja e DHSK-së shpjegoi gjithashtu se të drejtat e të pandehurve para DHSK-së mbrohen nëpërmjet procesit të apelit. Ajo informoi për vendimin e fundit të Gjykatës Supreme në çështjen gjyqësore të Salih Mustafës, duke shpjeguar se, “Ky është një shembull se si shkallët e ndryshme të apelit në sistemin tonë, gjegjësisht në sistemin e gjyqësorit të Kosovës, janë shkallë të një sistemi gjyqësor që funksionon siç duhet. Kështu edhe duhet të jetë.”
Në diskutimet e saj me shoqërinë civile, Kryetaren Trendafilova e pyetën lidhur me seancat gjyqësore që janë të mbyllura për publikun. Duke theksuar rëndësinë e transparencës, ajo shpjegoi masat e ndryshme që marrin gjykatësit për të siguruar që proceset të jenë publike sa më shumë që është e mundur, dhe gjithashtu shpjegoi se kur seancat mbyllen për publikun, kjo bëhet për të mbrojtur dëshmitarët.
“Ne duhet të kujdesemi për personat që morën vendimin për të ardhur dhe për të dëshmuar para gjykatës. Njëra prej arsyeve për zhvendosjen, njëra prej arsyeve për këto elemente specifike, është që personat vërtetë të mbrohen, dhe që nga vizita ime e parë në Kosovë, gjithmonë kam thënë se as aktgjykimi më i mirë, aktgjykimi më i shkëlqyeshëm nuk do të kishte kurrfarë vlere nëse kjo do të bëhej në dëm të sigurisë së personave,” tha Kryetarja e DHSK-së.
Komunikimi dhe ndërgjegjësimi ka qenë prioritet i Dhomave të Specializuara të Kosovës që nga fillimi i funksionimit të gjykatës. Që nga 2018, DHSK ka mbajtur mbi 180 aktivitete në Kosovë në bashkëpunim me shoqërinë civile, duke komunikuar drejtpërdrejt me 4,000 qytetarë. Gjatë këtyre aktiviteteve, studentë, juristë, përfaqësues të komuniteteve dhe të tjerë kanë rastin të parashtrojnë pyetje, të paraqesin mendime dhe të dëgjojnë nga përfaqësuesit e gjykatës drejtpërdrejt në lidhje me zhvillimet në Hagë. Programi për komunikim dhe ndërgjegjësim financohet nga Zvicra që nga 2018.