Kryetarja e Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) Ekaterina Trendafilova dhe Administratorja dr. Fidelma Donlon morën pjesë në një veprimtari ndërvepruese të komunikimit dhe ndërgjegjësimit me shoqërinë civile dhe gazetarët në Mitrovicë ku shpjeguan veprimtaritë e gjykatës dhe mënyrën si është duke siguruar ajo procedura të drejta, të paanshme, të pavarura dhe të sigurta. Pjesëmarrësit shprehën pikëpamjet e tyre dhe parashtruan pyetje gjatë takimit.
Që nga fillimi i punës së saj, DHSK-ja zhvillon komunikimin dhe ndërgjegjësimin me njerëzit e komuniteteve në të gjithë Kosovën. Gjatë vizitës së tyre të parë që nga fillimi i procedurave, Kryetarja dhe Administratorja e ndien se ishte me rëndësi jetike të vazhdohej praktika e shkuarjes në vendet ku njerëzit jetojnë për t’a bërë gjykatën dhe punën e saj të arritshme për publikun.
Duke respektuar masat aktuale kundër COVID-19 dhe për të siguruar pjesëmarrje të sigurt për të gjithë, pjesëmarrësit morën pjesë personalisht dhe online në këtë takim.
Në takim, Kryetarja foli për historikun e themelimit të gjykatës dhe fazën aktuale të procedurave. Ajo ishte mirënjohëse që iu dha mundësia për të folur për gjykatën dhe për t'iu përgjigjur pyetjeve. Kryetarja theksoi se gjykata mbetet e përkushtuar për të komunikuar në mënyrë të hapur dhe transparente për punën e institucionit dhe procedurat e tij.
Administratorja foli për sistemin e fortë të mbrojtjes së dëshmitarëve, pjesëmarrjen e viktimave dhe mënyrën se si Zyra Administrative siguron menaxhimin e objektit të paraburgimit në përputhje me të gjitha standardet ndërkombëtare.
“Viktimat mund të vazhdojnë të aplikojnë për të marrë pjesë në procedura dhe unë i siguroj të gjithë se procesi i aplikimit është konfidencial dhe i sigurt. Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave është e gatshme të ndihmojë dhe t'i përgjigjet çdo pyetjeje në mënyrë konfidenciale, "tha Administratorja.