Raporti Vjetor i Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) i vitit 2022, së bashku me Raportin Vjetor të Zyrës së Prokurorit të Specializuar (ZPS), tashmë gjendet në faqen e internetit të DHSK-së në tri gjuhët zyrtare të gjykatës: shqipe, serbishte dhe anglishte. Raporti përmban informacione të hollësishme rreth veprimtarive të DHSK-së dhe ZPS-së gjatë vitit 2022 si dhe informacion rreth funksionit dhe veprimtarisë së institucionit të pavarur të Avokatit të Popullit të DHSK-së.
Në vitin 2022, pati rritje të mëtejshme të veprimtarisë gjyqësore të DHSK-së. Gjatë vitit u lëshuan dy aktgjykime dhe dy çështje gjyqësore kaluan nga faza e procedurës paraprake në atë të gjykimit. Për herë të parë, që prej momentit kur DHSK-ja u bë funksionale në aspektin gjyqësor, Gjykatësi i Procedurës Paraprake, Trupat Gjykues, Panelet e Gjykatës së Apelit, Paneli i Gjykatës Supreme dhe Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese ishin të gjitha aktive dhe nxorën afërsisht 660 vendime dhe urdhra.
Gjatë vitit u pranuan 40 viktima të tjera pjesëmarrëse në dy çështje gjyqësore. Gjithashtu u transmetuan në internet - në tri gjuhët e gjykatës - gjashtëdhjetë e pesë seanca publike, gjatë të cilave u paraqitën në Gjykatë 22 dëshmitarë dhe një viktimë. Faqet e transmetimit me video në faqen e internetit të DHSK-së, ku publiku mund të përcjellë seancat, patën më shumë se 42.000 shikime.
Kryetarja e DHSK-së, Trendafilova, udhëtoi në Kosovë në shtator 2022 për t’u takuar me shoqërinë civile dhe përfaqësues të medias në kuadër të programit për komunikim dhe ndërgjegjësim të DHSK-së. Si pjesë e këtij Programi, përfaqësues të DHSK-së udhëtojnë në Kosovë rreth një herë në muaj për t’u takuar me përfaqësues të ndryshëm të publikut për t’u dhënë informacion lidhur me Gjykatën dhe për t’iu përgjigjur pyetjeve të tyre. Në vitin 2022 në Kosovë u mbajtën 34 aktivitete komunikimi dhe ndërgjegjësimi.
Më shumë informacion lidhur me veprimtaritë e DHSK-së dhe të ZPS-së për vitin 2022 mund të gjeni në Raportin e Vitit 2022.