Më 7 dhe 8 qershor 2018, Dhomat e Specializuara të Kosovës mirëpritën në selinë e tyre në Hagë 15 Organizata Joqeveritare (OJQ) nga Kosova dhe Serbia, pjesëmarrëse në seminarin e Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim. Qëllimi kryesor i këtij seminari ishte të merrej mendimi i OJQ-ve nga rajoni për veprimtaritë aktuale komunikuese dhe ndërgjegjësuese, si dhe sugjerimet e tyre për veprimtari të tilla në të ardhmen.
“Që nga fillimi, Dhomat e Specializuara të Kosovës i kanë kushtuar vëmendje të posaçme veprimtarisë komunikuese dhe ndërgjegjësuese, në mënyrë që njerëzve në rajon t’u shpjegohet natyra, mandati, struktura dhe parimet thelbësore në punën e institucionit tonë. Si një prej prioriteteve tona, është tejet e rëndësishme që rregullisht të dëgjojmë mendimet e komuniteteve në rajon, sidomos ato të OJQ-ve të interesuara. Për mua ishte shumë e rëndësishme që u takova përsëri me përfaqësues të shoqërisë civile nga Kosova dhe Serbia dhe i dëgjova me kujdes mendimet dhe pikëpamjet e tyre të shumta për Dhomat e Specializuara të Kosovës. Ne do t’i shqyrtojmë me hollësi sugjerimet e tyre konkrete dhe të vlefshme lidhur me veprimtaritë komunikuese dhe ndërgjegjësuese në të ardhmen”, deklaroi Kryetarja Ekaterina Trendafilova, duke shprehur vlerësimin e saj për rezultatet e seminarit.
Seminari ishte një mundësi për të mbledhur së bashku partnerët e mundshëm dhe njohuritë e tyre për rajonin, si dhe për të punuar në mënyrë strategjike për t’i dhënë formë Programit për Komunikim dhe Ndërgjegjësim në të ardhmen.
Në seminar morën pjesë këto OJQ: Qendra për të Drejtën Humanitare (HLC) Kosovë; Qendra për të Drejtën Humanitare (HLC), Serbi; Qendra Evropiane për Çështje të Pakicave (ECMI) Kosova; Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) Kosovë; Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR) Serbi, Rrjeti i Grave të Kosovës (KWN); Komiteti i Avokatëve për të Drejtat e Njeriut (YUCOM); AKTIV; Qendra e Avokimit për Kulturë Demokratike (ACDC); Qendra për Hulumtim, Dokumentim dhe Publikim (CDRP); INTEGRA; Qendra për Paqe dhe Tolerancë (CPT); ForumZFD, Serbi; ForumZFD, Kosovë dhe Romët në Veprim (Roma in Action).
Vendosja e komunikimit të ndërsjellë midis DHSK-së dhe popullatës së ndikuar më së shumti nga puna e saj ka qenë në qendër të Strategjisë së Komunikimit të DHSK-së. Drejtuesit e DHSK-së dhe ekipi i komunikimit dhe ndërgjegjësimit janë konsultuar rregullisht me shoqërinë civile në Kosovë dhe në rajon gjatë këtyre viteve të fundit. Nga janari 2018, falë një donacioni të qeverisë zvicerane, DHSK-ja ka zhvilluar aktivitete komunikimi dhe ndërgjegjësimi nga më të ndryshmet në partneritet me OJQ nga mbarë Kosova. Mënyra e organizimit të secilit aktivitet ka bërë të mundur që DHSK-ja t’u japë audiencave përkatëse informacione thelbësore për mandatin dhe juridiksionin e gjykatës dhe në të njëjtën kohë të njihet me shqetësimet dhe t’u përgjigjet pyetjeve të tyre. Kohët e fundit kanë filluar edhe konsultime me partnerë të mundshëm në Serbi.