Arkivi i të gjitha informimeve të mëparshme është i disponueshëm në këtë faqe ndërsa video incizimet mund të gjenden në kanalin tonë në Youtube
Çështja Pjetër Shala: Dorëzohet njoftimi për apel/Caktohet konferenca para apelit
Pas dorëzimit të njoftimit (konfidencial) për apel nga Mbrojtja e Pjetër Shalës kundër aktgjykimit të shqiptuar më 16 korrik të këtij viti, Kryetarja e DHSK-së Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës së Apelit të përbërë nga gjykatësit Mishelë Pikar, Kai Ambos dhe Nina Jorgensen për marrjen e vendimit lidhur me apelin. Më 4 shtator 2024, kryegjykatësja e Panelit të Gjykatës së Apelit caktoi datën për mbajtjen e konferencës para apelit për 20 shtator në ora 10:00.
Informimi javor për median më 5 shtator: transkripti
Transkripti i informimit të sotëm javor të DHSK-së për median ndodhet këtu.
Informimi javor për median më 5 shtator
Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 5 shtator, në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected]. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së.
Çështja Januzi dhe të tjerët i caktohet Trupit Gjykues I
Pas njoftimit të Gjykatëses së Procedurës Paraprake se dosja e çështjes Januzi dhe të tjerët do të jetë gati për t’iu kaluar Trupit Gjykues më 4 shtator, Kryetarja e DHSK-së ia caktoi këtë çështje Trupit Gjykues I, në përbërje nga gjykatësit Roland Dekers, Mapi Feld-Folia, Zhilber Biti, dhe Vladimir Mikula (gjykatës rezervë).
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët përfundoi për këtë javë/rinis më 16 shtator
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Rrustem Tetaj, gjykimi në çështjen Thaçi dhe të tjerët përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Seanca e caktuar për nesër, 5 shtator, është anuluar, ndërsa procesi gjyqësor do të vazhdojë të hënën, 16 shtator, në orën 09:00.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: dëshmitari Tetaj rinis dhënien e dëshmisë
Dëshmitari i 84-të i Prokurorisë, Rrustem Tetaj, rinisi dhënien e dëshmisë këtë mëngjes. Mbrojtja e Thaçit po vazhdon marrjen në pyetje nga dita e djeshme.
Januzi dhe të tjerët: dorëzohet dosja paraprake e H. Shalës/kalimi i dosjes së çështjes tek Trupi Gjykues më 4 shtator
Sot, më 3 shtator, Gjykatësja e Procedurës Paraprake njoftoi Kryetaren se dosja e çështjes kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës do të jetë gati për t’ia kaluar Trupit Gjykues nesër, më 4 shtator 2024.
Para kësaj, pas urdhrit të Gjykatëses së Procedurës Paraprake më 23 korrik dhe paralajmërimit të saj më 27 gusht, Mbrojtja e Haxhi Shalës e dorëzoi si konfidenciale dosjen e vet paraprake. Parashtrimin përkatës mund ta gjeni këtu.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: ZPS-ja thërret dëshmitarin e radhës (i 84-ti në gjykatë)
Dëshmitari i radhës i ZPS-së është Rrustem Tetaj, dëshmia e të cilit ka nisur këtë mëngjes. Sipas ZPS-së, ky dëshmitar është ish-oficer i UÇK-së, i cili gjatë verës së vitit 1998 ka mbajtur pozita të ndryshme në Zonën Operative të Dukagjinit.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët përfundoi për sot/nesër dëshmitar i ri (3 shtator)
Pas përfundimit të dëshmisë prej Imer Imerit, përfundoi seanca e sotme në gjykimin Thaçi dhe të tjerët. Gjykimi do të rifillojë nesër, 3 shtator, në orën 09:00, me dëshminë e dëshmitarit tjetër të ZPS-së.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: ZPS-ja thërret dëshmitarin e radhës (i 83-ti deri më tani në gjykatë)
Dëshmitari i radhës i ZPS-së është Imer Imeri, dëshmia e të cilit ka nisur këtë mëngjes. Sipas ZPS-së, dëshmitari ishte rrëmbyer nga ushtarë të maskuar të UÇK-së në Shqipëri për shkak se ishte përkrahës i Ibrahim Rugovës dhe partisë LDK. Ai fillimisht ishte ndaluar në Shqipëri dhe rreth mesit të qershorit 1999 ishte transferuar në Kosovë dhe ishte ndaluar në Prizren.