• E hënë 23 Dhjetor, 2024 08:45

    Pushimi dimëror i gjykatës zgjat deri më 10 janar 2025

    Siç është njoftuar në kalendarin tonë, pushimi dimëror në DHSK fillon të hënën, më 23 dhjetor 2024, dhe përfundon më 10 janar 2025. Gjatë kësaj periudhe nuk mbahen seanca gjyqësore dhe disa nga shërbimet jothelbësore do të jenë në minimum. Megjithatë, gjykata mbetet plotësisht funksionale dhe puna vazhdon në të gjitha seksionet e DHSK-së. Gjatë pushimit mund të paraqiten parashtrime dhe përveç nëse gjykatësit kanë urdhëruar ndryshe, afatet gjyqësore vazhdojnë të jenë në fuqi.

    Image
  • E premte 20 Dhjetor, 2024 10:00

    Çështja Thaçi dhe të tjerët: vendimi i radhës për pjesëmarrjen e viktimave

    Më 18 dhjetor 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaҫi dhe të tjerët miratoi kërkesën e Mbrojtësit të viktimave për të lejuar një anëtar të ngushtë të familjes të njërës prej viktimave, e cila ka ndërruar jetë së fundmi, të marrë pjesë si viktimë pjesëmarrëse në proces gjyqësor. Rrjedhimisht, numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore mbetet 154.

  • E enjte 19 Dhjetor, 2024 17:15

    Çështja Januzi dhe të tjerët: Bahtijari pranon fajësinë/vendimi vitin e ardhshëm

    Pasi konfirmoi se i kupton kushtet dhe pasojat e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, siç përcaktohet në rregullën 94 të Rregullores, Ismet Bahtijarit iu kërkua të deklarohet lidhur me pikat 2 dhe 3 të aktakuzës. Sot, ai u deklarua fajtor për të dyja akuzat, ndërsa seanca, e cila ka përfunduar, vazhdoi me trajtimin e pikave tjera të rendit të ditës.

    Trupi Gjykues njoftoi se do të jetë në gjendje të vendosë në lidhje me të gjitha marrëveshjet për pranimin e fajësisë, përfshirë dënimin, vetëm pasi të marrë raportin nga Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave, që pritet të bëhet deri më 20 janar 2025 (siq kemi informuar dje) si dhe parashtrimet e palëve mbi raportin, që pritet të bëhet deri më 27 janar. Trupi Gjykues sqaroi se çdo zhdëmtim i mundshëm duhet të trajtohet si pjesë e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, në përputhje me rregullën 94 (2) (c) të Rregullores. Udhëzime të mëtejshme do të jepen nga Trupi Gjykues pas pushimit dimëror.

     

  • E enjte 19 Dhjetor, 2024 16:30

    Çështja Januzi dhe të tjerët: pushimi i pasdites (19 dhjetor) do të zgjasë më shumë se që është njoftuar

    Ju lutemi vini re se pushimi i tanishëm (që filloi në orën 15:15 respektivisht në orën 16:00 në transmetimin me vonesë në internet) do të zgjasë më gjatë se që është njoftuar. Seanca do të vazhdojë në orën 16:15 (17:00 në transmetimin me vonesë).

  • E enjte 19 Dhjetor, 2024 12:30

    Çështja Januzi dhe të tjerët: seanca mbi marrëveshjen për pranimin e fajësisë së Bahtijarit do të transmetohet me një vonesë prej 45 minutash

    Ju lutemi vini re se transmetimi i seancës mbi marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e cila do të mbahet sot në orën 13:00, do të bëhet me një vonesë prej 45 minutash. Klikoni këtu për të përcjellur transmetimin në shqip.

     

  • E enjte 19 Dhjetor, 2024 10:15

    Informimi javor për median më 19 dhjetor

    Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 19 dhjetor, në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected](link sends e-mail). Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së.

     

  • E mërkurë 18 Dhjetor, 2024 18:15

    Çështja Januzi dhe të tjerët: H. Shala dhe Januzi e pranojnë fajësinë

    Seancat lidhur me marrëveshjet për pranimin e fajësisë së Haxhi Shalës dhe Sabit Januzit kanë përfunduar. Të dy të akuzuarit konfirmuan se i kuptojnë kushtet dhe pasojat e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, siç përcaktohet në rregullën 94 të Rregullores. Në vazhdim, Shalës dhe Januzit iu kërkua të deklarohen lidhur me pikat 2 dhe 3 të aktakuzës, për të cilat të dy u deklaruan fajtorë.

    Lidhur me zhdëmtimet e mundshme në këtë çështje, Trupi Gjykues nxori një vendim gojor duke urdhëruar Zyrën e Pjesëmarrjes së Viktimave të Dhomave të Specializuara që të dorëzojë një raport deri më 20 janar 2025, duke detajuar të gjitha kërkesat e viktimave, nëse ka.

    Siç ishte paralajmëruar, seanca për marrëveshjen e pranimit të fajësisë për Ismet Bahtijarin është caktuar për nesër, 19 dhjetor, në ora 13:00. Ndërkohë, siç theksohet në komunikatën e sotme për shtyp, janë bërë publike detajet e marrëveshjes së Bahtijarit për pranimin e fajësisë. Për më tepër, tashmë është në dispozicion versioni në gjuhën shqipe i marrëveshjes së Januzit për pranimin e fajësisë.

  • E mërkurë 18 Dhjetor, 2024 10:30

    Çështja Januzi dhe të tjerët: përditësim lidhur me marrëveshjen për pranimin e fajësisë/seancën më 19 dhjetor

    Pas shqyrtimit të marrëveshjes së re për pranimin e fajësisë mes ZPS-së dhe Mbrojtjes së Bahtijarit, Trupi Gjykues lëshoi ​​një urdhër gojor duke konstatuar se ajo është në përputhshmëri me kërkesat e rregullës 94 (2) të Rregullores. Rrjedhimisht, Trupi Gjykues caktoi seancën për të enjten, më 19 dhjetor, në ora 13:00, për të diskutuar marrëveshjen e re mes Bahtijarit dhe ZPS-së për pranimin e fajësisë. Orari i kësaj seance do të jetë sipas rendit të ditës të përcaktuar në paragrafin 20 të urdhrit më të fundit për caktimin për Januzin dhe H. Shalën. Zyra Administrative u udhëzua që të riklasifikojë marrëveshjen për pranimin e fajësisë në publike sa më shpejt të jetë e mundur.