Përfundon gjykimi Thaçi dhe të tjerët për këtë javë/rinis pas pushimit veror
Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit Bislim Zyrapi, gjykimi në çështjen Thaçi, Veseli, Selimi dhe Krasniqi përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Gjykimi do të rinis pas pushimit veror, më 19 gusht 2024.
Çështja gjyqësore Januzi dhe të tjerët: publikohen parashtrimet në lidhje me financimin e Mbrojtjes
Në lidhje me njoftimin tonë të mëparshëm në shkurt, ju lutemi vini re se disa parashtresa të Zyrës Administrative në lidhje me çështjen e financimit të Mbrojtjes janë të disponueshme në dokumentet publike të gjykatës. Fillimisht të klasifikuara si konfidenciale, versionet e redaktuara publike të këtyre dokumenteve tani janë të qasshme dhe ofrojnë informacione për korrespondencën ndërmjet Zyrës Administrative të DHSK-së dhe Ministrisë së Drejtësisë së Kosovës, si dhe me ekipet e Mbrojtjes, në lidhje me çështjen e lartpërmendur.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: dita e 12-të e dëshmisë së dëshmitarit Zyrapi
Këtë mëngjes ka rinisur dëshmia e dëshmitarit të Prokurorisë, Bislim Zyrapi. Pas marrjes në pyetje nga Trupi Gjykues ditën e djeshme, dëshmitari është duke u marrë në pyetje nga Mbrojtja e Krasniqit.
Informimi javor për median më 18 korrik
Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 18 korrik, në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected]. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së.
Çështja P. Shala: përmbledhja e aktgjykimit është në dispozicion
Ju lutemi vini re se përmbledhja e aktgjykimit, i shpallur më 16 korrik, është në dispozicion në të tri gjuhët e gjykatës. Versioni në shqip ndodhet këtu.
Caktohet Paneli i Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesën e Haxhi Shalës lidhur me mbajtjen në paraburgim
Më 16 korrik 2024, Kryetarja Trendafilova caktoi Panelin e Gjykatës Supreme për të vendosur mbi kërkesën për mbrojtje të ligjshmërisë, e dorëzuar nga Mbrojtja e Haxhi Shalës më 12 korrik, lidhur me mbajtjen e tij në paraburgim. Gjykatësit Ekaterina Trendafilova (kryesuese), Kristinë van den Vijngart dhe Daniel Fransen do të vendosin lidhur me këtë kërkesë. Vendimi i caktimit mund të shihet këtu.
Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: vazhdon dëshmia e dëshmitarit Bislim Zyrapi
Dëshmia e dëshmitarit të Prokurorisë, Bislim Zyrapi, rifillon mëngjesin e sotëm me vazhdimin e marrjes në pyetje nga Trupi Gjykues.
Videoincizimi i aktgjykimit të P. Shalës në dispozicion në Youtube
Videoincizimi i aktgjykimit në çështjen Pjetër Shala, i shpallur më 16 korrik, tani është në dispozicion në kanalin Youtube.
Çështja gjyqësore P. Shala: shpallet aktgjykimi
Sot, më 16 korrik 2024, Trupi Gjykues I shqiptoi Aktgjykimin në çështjen gjyqësore Prokurori i Specializuar kundër Pjetër Shalës. Ky është aktgjykimi i dytë i shqiptuar nga Dhomat e Specializuara të Kosovës në çështje gjyqësore për krime lufte.
Trupi Gjykues shpalli fajtor z. Shala për krime lufte të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 18 vjet burgim. Për arsye juridike, Trupi Gjykues shpalli të pafajshëm z. Shala për krimin e trajtimit mizor. Trupi Gjykues konstatoi se z. Shala mban përgjegjësi penale për veprat penale përmes kontributit personal të tij si pjesëmarrës në një ndërmarrje kriminale të përbashkët, së bashku me anëtarë të tjerë të UÇK-së.
Më shumë hollësi në Komunikatën për shtyp.
Çështja P. Shala: Shpallja e aktgjykimit do të transmetohet me vonesë
Shpallja e aktgjykimit në çështjen Pjetër Shala, i planifikuar për sot pasdite në orën 14:00, do të transmetohet me vonesë prej 10 minutash. Klikoni këtu për të ndjekur transmetimin e drejtpërdrejt në shqip.