Subscribe to Live update from the Court
E.g., 27/11/2024
E.g., 27/11/2024
E martë 16 Korrik , 2024 09:45

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: dita e 10-të e dëshmisë së dëshmitarit Zyrapi

Dëshmia e Bislim Zyrapit rifillon mëngjesin e sotëm me vazhdimin e marrjes në pyetje nga Prokuroria.

Ju lutemi vini re se seanca e sotme pritet të zgjasë deri në orën 13:00.

E hënë 15 Korrik , 2024 10:30

Januzi dhe të tjerët: vendimi i radhës për kalimin e dosjes së çështjes dhe për dorëzimin e dosjeve paraprake prej Mbrojtjes

Pasi Mbrojtja e Januzit ka kërkuar zgjatjen e afatit aktual dhe duke pasur parasysh se Mbrojtja e Haxhi Shalës nuk ishte e pranishme në seancën e datës 12 korrik, Gjykatësja e Procedurës Paraprake vendosi të njëjtën ditë, proprio motu (me iniciativë të saj), të anulojë afatin e mëparshëm për dorëzimin e dosjeve paraprake të Mbrojtjes, i cili ishte planifikuar për datën 15 korrik. Mbrojtja e Januzit është udhëzuar që të dorëzojnë kërkesën e tyre për zgjatjen e afatit për dorëzimin e dosjes së tyre paraprake  deri të hënën, më 15 korrik 2024, ndërsa përgjigjet e mundshme nga palët e tjera deri më 16 korrik.

Pas synimit të Mbrojtjes së Januzit për të dorëzuar një mocion paraprak në lidhje me akuzën e re në aktakuzën më të fundit të përbashkët, gjykatësja Masëlo (Masselot) gjithashtu anuloi datën për kalimin e dosjes së çështjes tek Trupi Gjykues, e cila ishte planifikuar për 22 korrik.

Datat e reja do të caktohen në kohën e duhur.

Më shumë detaje mund të lexohen në vendim.

E hënë 15 Korrik , 2024 09:45

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: dita e 9-të e dëshmisë së dëshmitarit Zyrapi

Dëshmia e Bislim Zyrapit rifillon mëngjesin e sotëm me vazhdimin e marrjes në pyetje nga Mbrojtja e Krasniqit.

Trupi Gjykues njoftoi, po ashtu si dy javët e kaluara, se ky dëshmitar do të japë dëshmi gjatë tërë ditës së sotme dhe të mërkurë dhe gjysmë dite të martën (deri në pushimin e drekës) dhe të enjten (vetëm në seancën e parë). Trupi Gjykues gjithashtu njoftoi se nuk ka asnjë dëshmitar tjetër të planifikuar për këtë javë.

E premte 12 Korrik , 2024 10:15

Çështja Januzi dhe të tjerët: të akuzuarit u vetëdeklaruan të pafajshëm lidhur me akuzën e re

Gjatë paraqitjes së tyre të mëtejshme sot, Januzi dhe Bahtijari u vetëdeklaruan të pafajshëm në lidhje me akuzën e re në aktakuzën e përbashkët.

E premte 12 Korrik , 2024 09:00

Januzi dhe të tjerët.: Paraqitja e mëtejshme do të transmetohet me vonesë

Ju lutemi vini re se paraqitja e mëtejshme e Januzit dhe Bahtijarit, e planifikuar në orën 09:30, do të transmetohet me vonesë prej 10 minutash. Klikoni këtu për të ndjekur transmetimin e drejtpërdrejt në shqip.

E enjte 11 Korrik , 2024 16:30

Përfundon gjykimi Thaçi dhe të tjerët për këtë javë/rinis më 15 korrik

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të ZPS-së W04501, gjykimi në çështjen Thaçi dhe të tjerët përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Gjykimi do të rinis të hënën, më 15 korrik, në ora 09:00.

E enjte 11 Korrik , 2024 14:30

Informimi javor për median më 11 korrik: transkripti

Transkripti i informimit të sotëm javor të DHSK-së për median ndodhet këtu.


Michael Doyle, zëdhënës i DHSK-së

Arkivi i të gjitha informimeve të mëparshme është i disponueshëm në këtë faqe ndërsa video incizimet mund të gjenden në kanalin tonë në Youtube

E enjte 11 Korrik , 2024 13:00

Informimi javor për median më 11 korrik

Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 11 korrik, në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected]. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së.

E enjte 11 Korrik , 2024 12:45

Gjykimi Thaçi dhe të tjerët: ZPS-ja thërret dëshmitarin e radhës/Zyrapi vazhdon më 15 korrik

Dëshmitari i radhës i Prokurorisë është dëshmitari i mbrojtur W04501 i cili është duke dëshmuar përmes video lidhjes. Sipas përmbledhjes së lexuar nga Prokuroria në gjykatë, ky dëshmitar do të dëshmojë për arrestimin dhe ndalimin e tij nga pjesëtarët e UÇK-së në vitin 1998.

Dëshmia e dëshmitarit Bislim Zyrapi nuk ka përfunduar dhe është planifikuar të vazhdojë të hënën, më 15 korrik, në orën 09:00.

E enjte 11 Korrik , 2024 12:15

Çështja Thaçi dhe të tjerët: 2 viktima të tjera pranohen për të marrë pjesë në proces gjyqësor

Më 10 korrik 2024, Trupi Gjykues II nxori vendimin më të fundit mbi pjesëmarrjen e viktimave në çështjen Thaçi dhe të tjerët. Dy parashtrues të tjerë kërkesash u pranuan si viktima pjesëmarrëse në proces gjyqësor, të cilët do t’i shtohen grupit ekzistues të viktimave në këtë çështje (grupi 1 i cili numëronte 152 viktima pjesëmarrëse) dhe do të përfaqësohen nga i njëjti mbrojtës viktimash. Në vendimin e tij Trupi Gjykues theksoi se afati për paraqitjen e kërkesave për pranimin e viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje ka skaduar më 15 shkurt 2023, por, meqenëse ekziston një arsye e vlefshme, ka vendosur ti pranojë këto kërkesa edhe pse ato ishin dorëzuar pas afatit të paraparë.

Bashkë me këta, numri i gjithsejtë i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore arrin në 154. Më shumë detaje në versionin e redaktuar publik të vendimit.