• E mërkurë 23 Prill, 2025 15:30

    Thaçi dhe të tjerët: urdhrat e Trupit Gjykues lidhur me hapat e tjerë

    Gjatë konferencës së sotme për ecurinë e çështjes, Trupi Gjykues II dha disa urdhra gojorë në lidhje me provat dhe fazat e ardhshme të procesit. Ndër të tjera, Trupi Gjykues urdhëroi ekipet e Mbrojtjes të dorëzojnë mocionin e përbashkët të tyre për rrëzimin e akuzave, në përputhje me rregullën 130, deri më 2 qershor 2025, ose brenda 14 ditësh pas vendimit të fundit të Trupit Gjykues për pranimin e provave, cilado të jetë data më e vonshme. Përgjigja e ZPS-së duhet të dorëzohet deri më 1 korrik, ose brenda 30 ditësh pas Mocionit të Mbrojtjes sipas Rregullës 130, cilado të jetë data më e vonshme.

    Gjithashtu, mbrojtësi i viktimave pritet që të jetë gati për paraqitjen e provave të veta në korrik, në qoftë se Trupi Gjykues konstaton se ekziston arsyeja për këtë, dhe, ndër të tjera, u urdhërua të dorëzonte listën e tij të dëshmitarëve dhe provave materiale të propozuara deri më 28 maj 2025.

    Trupi Gjykues ka anuluar planin e punës së gjykatës deri më 8 maj, duke e shtyrë këtë gjykim deri në njoftimin e ardhshëm.

  • E mërkurë 23 Prill, 2025 09:17

    Thaçi dhe të tjerët: konferenca për ecurinë e çështjes mëngjesin e sotëm

    Ju kujtojmë se konferenca për ecurinë e çështjes në çështjen gjyqësore kundër Thaçit, Veselit dhe Krasniqit mbahet mëngjesin e sotëm, në orën 10:00. Ashtu si edhe në rastet e tjera, transmetimi me video në internet i kësaj seance gjyqësore është me 45 minuta vonesë. Klikoni këtu për të ndjekur transmetimin e drejtpërdrejtë në gjuhën shqipe.

  • E enjte 17 Prill, 2025 16:30

    Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese merr vendim mbi kërkesën referuese të Salih Mustafës

    Më 17 prill 2025, Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese lëshoi aktvendimin në lidhje me kërkesën referuese të Salih Mustafës, ku konstatoi se nuk kishte shkelje të Kushtetutës së Kosovës apo të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e Të Drejtave të Njeriut dhe Lirive Themelore.

  • E mërkurë 16 Prill, 2025 16:50

    Thaçi dhe të tjerët (administrimi i drejtësisë): ZPS-ja dorëzon aktakuzën e ndryshuar

    Ashtu siç urdhëroi gjykatësja e procedurës paraprake dy ditë më parë, Zyra e Prokurorit të Specializuar sot, më 16 prill, dorëzoi aktakuzën  e konfirmuar të ndryshuar në çështjen kundër Thaçit, Smakajt, Kilajt, Fazliut dhe Kuçit. Parashtrimi specifikon se ndryshimet ndodhen në paragrafët 43 dhe 46 në lidhje me akuzat 1 deri në 3.

  • E mërkurë 16 Prill, 2025 11:10

    Thaçi dhe të tjerët: Mbrojtja do të dorëzojë mocione për rrëzimin e akuzave

    Më 16 prill 2025, të gjitha ekipet e Mbrojtjes e informuan Trupin Gjykues për synimin e tyre për të dorëzuar mocione për rrëzimin e disa, apo të gjitha akuzave në aktakuzë, në përputhje me Rregullën 130 të Rregullores. Përveç kësaj, ekipet e Mbrojtjes kanë bërë të ditur se do ta informojnë Trupin Gjykues nëse synojnë të paraqesin çështjet e tyre pas vendimit lidhur me mocionet sipas Rregullës 130.

  • E mërkurë 16 Prill, 2025 09:06

    ZPS-ja mbyll çështjen e vet kundër Thaçit, Veselit, Selimit dhe Krasniqit

    Më 15 prill 2025, ZPS-ja dorëzoi njoftimin se ka mbyllur çështjen e vet kundër Thaçit dhe të tjerëve. Komunikata për shtyp e ZPS-së, e lëshuar këtë mëngjes, mund të shihet këtu

  • E mërkurë 16 Prill, 2025 08:45

    H. Shala: vendimi mbi kërkesën më të fundit për lirim të përkohshëm i disponueshëm në faqen e internetit

    Më 27 mars 2025, gjykatësja e vetme Marzhori Masëlo refuzoi kërkesën e Haxhi Shalës për lirimin e përkohshëm në Kosovë. Gjykatësja Masëlo konstatoi se Shala nuk ka demonstruar se ekzistonin arsye të jashtëzakonshme dhe humanitare bindëse që përligjnin lirimin e përkohshëm të tij. Versionin e redaktuar publik të këtij vendimi, të dorëzuar më 15 prill, mund ta gjeni këtu.

    Siç kemi informuar më herët, Shalës i ishte lejuar një vizitë nën mbikëqyrje në tetor të vitit të kaluar.

    Korniza ligjore e Dhomave të Specializuara të Kosovës u mundëson personave të paraburgosur që të bëjnë kërkesa për vizitë nën mbikëqyrje në Kosovë kur ka arsye humanitare bindëse. Gjykatësit përkatës vendosin për çdo kërkesë të tillë duke u bazuar në informacionin e dhënë në momentin kur bëhet kërkesa.

  • E martë 15 Prill, 2025 11:40

    Thaçi dhe të tjerët (vepra penale kundër administrimit të drejtësisë): Për Thaçin konfirmohet një formë përgjegjësie penale shtesë

    Pas vendimit të Gjykatës së Apelit, për të cilin kemi informuar më herët këtë muaj, dje më 14 prill 2025, Gjykatësja e Procedurës Paraprake Masëlo, ndryshoi vendimin e saj të mëparshëm për konfirmimin e aktakuzës në këtë çështje gjyqësore. Gjykatësja Masëlo konfirmoi një formë përgjegjësie penale shtesë për Hashim Thaçin në bazë të nenit 32(3) të Kodit Penal të Kosovës në akuzat e paraqitura në Pikat 1, 2, dhe 3 të Aktakuzës së Konfirmuar dhe urdhëroi ZPS-në të dorëzojë aktakuzën e re të konfirmuar deri më 16 prill 2025, në orën 12:00.

    Sipas gjykatëses Masëlo, nuk është e nevojshme që të mbahet një seancë vijuese e paraqitjes së parë për Thaçin, sepse nuk janë shtuar akuza të reja por vetëm një formë shtesë e përgjegjësisë penale për veprën penale ekzistuese. Megjithatë ajo tha se qëndrimi i të akuzuarit në lidhje me këtë duhet të përfshihet zyrtarisht në dokumentacion, dhe e ftoi atë të vetëdeklarohet në lidhje me formën shtesë të nxitjes që u konfirmua rishtas. Në qoftë se vendos të bëjë vetëdeklarim, ai duhet ta dorëzojë atë me shkrim deri më 24 prill, në orën 16:00. Në qoftë se vendos të mos e ushtrojë këtë të drejtë, Gjykatësja e Procedurës Paraprake do të bëjë deklarimin në emër të tij si i pafajshëm, në përputhje me rregullën 92(2)(f) të Rregullores.

    Në qoftë se Thaçi dëshiron të informohet për këtë formë të re të përgjegjësisë penale në seancë gjyqësore të hapur, duhet të paraqesë kërkesë për këtë deri më 24 prill, në orën 16:00.

    Gjithashtu, gjykatësja Masëlo caktoi datën për dorëzimin e mocioneve paraprake nga të akuzuarit në këtë çështje, nëse kanë, deri më 8 maj 2025.

    Vendimin e plotë mund ta gjeni këtu.