Subscribe to Live update from the Court
E.g., 08/07/2024
E.g., 08/07/2024
E premte 12 Janar, 2024 12:30

Përditësim lidhur me referimin e Haradinajt në Gjykatën Kushtetuese: shtyhet vendimi i panelit për shkak të parashtrimeve shtesë

Më 11 janar, Paneli i Gjykatës Kushtetuese i ngarkuar me referimin e Haradinajt, i dorëzuar në nëntor të vitit të kaluar, vendosi të shtyjë vendimin e tij në këtë çështje derisa të pranojë parashtrimet shtesë nga palët, përkatësisht parashtrimin e ZPS-së lidhur me referimin si dhe përgjigjen e saj ndaj kërkesës më të fundit të Haradinajt për pranimin e një prove të re. Gjithashtu, Mbrojtja ftohet që të dorëzojë përgjigjen e saj ndaj përgjigjes së ZPS-së, nëse dëshiron ta bëjë këtë. Më shumë detaje, përfshirë afatet aktuale për dorëzimin e këtyre parashtrimeve, mund të gjenden këtu.

E premte 12 Janar, 2024 11:00

Refuzohet apeli i Kilajt kundër mbajtjes së mëtejshme në paraburgim

Më 11 janar, Paneli i Gjykatës së Apelit e refuzoi apelin e Isni Kilajt kundër vendimit të gjykatësit të vetëm për mbajtjen e tij të mëtejshme në paraburgim. Më shumë hollësi në vendimin (versioni i redaktuar publik) të Panelit të Gjykatës së Apelit.

E enjte 11 Janar, 2024 14:30

Informimi javor i DHSK-së për median më 11 janar 2024: transkripti

Transkripti i informimit të sotëm javor të DHSK-së për median ndodhet këtu.


Michael Doyle, zëdhënës i DHSK-së

Arkivi i të gjitha informimeve të mëparshme është i disponueshëm në këtë faqe ndërsa video incizimet mund të gjenden në kanalin tonë në Youtube

E mërkurë 10 Janar, 2024 17:15

Informimi javor për median më 11 janar

Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 11 janar në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected]. Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së. 

E mërkurë 10 Janar, 2024 14:00

Përfundon gjykimi i P. Shalës për këtë javë/urdhër gojor mbi dëshminë e dëshmitares eksperte

Pas përfundimit të dëshmisë së dëshmitarit të Mbrojtjes, Safet Gashi, gjykimi në çështjen P. Shala përfundoi për ditën e sotme dhe për këtë javë. Seancat e planifikuara për nesër dhe pasnesër (11 dhe 12 janar) janë anuluar. Seancat e ardhshme janë planifikuar më 19 dhe 22 janar, por Trupi Gjykues do të konfirmojë në kohën e duhur nëse ato do të mbahen apo jo.

Gjatë seancës së sotme Trupi Gjykues lëshoi disa urdhra gojorë, përfshirë atë lidhur me kërkesën e Mbrojtjes për të shtuar një dëshmitare eksperte (psikologe) dhe raportin e saj të ekspertizës në listën e dëshmitarëve dhe listën e provave materiale të Mbrojtjes, si dhe për ta thirrur dëshmitaren për të dëshmuar personalisht më 19 janar. Trupi Gjykues e miratoi pjesërisht kërkesën dhe urdhëroi që dëshmitarja dhe raporti (të cilin Trupi Gjykues e konsideroi relevant për përcaktimin e dënimit) t'i shtohen listës së dëshmitarëve dhe listës së provave materiale të Mbrojtjes. Megjithatë, Trupi Gjykues refuzoi pjesën e kërkesës së Mbrojtjes për dëshminë e kësaj dëshmitareje në gjykatë.

E mërkurë 10 Janar, 2024 10:15

Gjykimi i P. Shalës: dëshmitari Gashi vazhdon dëshminë

Këtë mëngjes, ZPS-ja është duke vazhduar marrjen në pyetje të dëshmitarit të dhjetë të Mbrojtjes, Safet Gashi.

E martë 9 Janar, 2024 13:15

Gykimi i P. Shalës: orari i modifikuar i gjykatës për sot (09/01/2024)

Ju lutemi vini re se pushimi i drekës në çështjen P. Shala do të jetë prej orës 12:30 deri në ora 14:00 (ose 13:15 – 14:45 transmetimi me vonesë në internet), ndërsa seanca do të vazhdojë deri në orën 16:00, si zakonisht.

E martë 9 Janar, 2024 10:45

Gjykimi i P. Shalës: dëshmon dëshmitari i ri i Mbrojtjes

Pas pushimit dimëror, këtë mëngjes ka rinisur gjykimi në çështjen e Pjetër Shalës me dëshminë e dëshmitarit të 10-të të Mbrojtjes, Safet Gashi, i cili po dëshmon pa masa mbrojtëse.

E hënë 8 Janar, 2024 12:30

Januzi: vendimi i refuzimit të kërkesës për lirim të përkohshëm

Më 8 dhjetor 2023, Gjykatësi i Procedurës Paraprake Giju refuzoi kërkesën për lirimin e përkohshëm të Sabit Januzit. Versionin e redaktuar publik të vendimit mund ta gjeni këtu. Në fund të vitit të kaluar, gjykatësi Giju gjithashtu refuzoi kërkesën e ngjashme të Bahtijarit, vendimi për të cilin gjendet këtu.

 

E martë 2 Janar, 2024 15:15

Thaҫi dhe të tjerët: anulohen katër seanca në shkurt sipas kërkesës së Mbrojtjes së Veselit

Më 2 janar 2024, Trupi Gjykues miratoi pjesërisht kërkesën e Mbrojtjes së Veselit dhe i anuloi seancat në këtë ҫështje nga data 12 deri më 15 shkurt. Trupi Gjykues konstatoi se Mbrojtja ka treguar një arsye të vlefshme për një ndryshim të kufizuar të orarit për të garantuar që mundësia e Mbrojtjes për t'u përgatitur për marrjen në pyetje të dëshmitarëve të ardhshëm të mos ndikohet nga vdekja e papritur e bashkëmbrojtësit të saj si dhe rekrutimi i mëpasshëm i zëvendësuesit të tij.