Versioni i redaktuar publik i parashtrimit të Administratores lidhur me zbatimin e Urdhrit për zhdëmtim në çështjen Salih Mustafa (i dorëzuar në mënyrë konfidenciale më 24 janar të këtij viti) është i disponueshëm në dokumentacionin gjyqësor publik. Ky parashtrim pason caktimin e një gjykatësi të vetëm më 17 janar (shih njoftimin tonë këtu) për të mbikëqyrur zbatimin e urdhrit për zhdëmtim dhe për të marrë raporte nga Administratorja për çdo veprim të ndërmarrë në kuadër të Programit për kompensimin e viktimave të krimit në Kosovë.
Administratorja vuri në dukje se afati kohor i aplikueshëm për dorëzimin e kërkesave të viktimave në këtë çështje, në kuadër të Programit për kompensimin e viktimave të krimit, është brenda tre viteve nga marrja e aktgjykimit të formës së prerë, ashtu siq është përcaktuar me ligjin e ndryshuar në fuqi në Kosovë. Ajo theksoi se kjo do të bëhet në bashkëpunim me Mbrojtësin e Viktimave pasi të merren të gjitha informatat përkatëse dhe të plotësohen të gjitha kushtet, dhe saktësoi se, sipas të njëjtit ligj, këto kërkesa mund të dorëzohen vetëm pas përcaktimit të mundësisë së Mustafës për t'i kompensuar vetë tetë viktimat, tërësisht ose pjesërisht. Nëse një përcaktim i tillë kërkohet nga gjykatësi i vetëm, Administratorja deklaroi se mund të kryejë një vlerësim të shkallës së varfërisë së Mustafës duke përdorur sistemin e paraparë në Rregulloren e DHSK-së për ndihmë juridike.
Bazuar në informacionin e ofruar, Administratorja kërkon vendimin e gjykatësit të vetëm lidhur me këtë çështje.