Në korrik 2023, Shërbimi i Jashtëm i Bashkimit Evropian nxori ftesë për propozime të kandidaturave për listën rezervë të gjykatësve në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian dhe shtetet kontribuese ftohen të propozojnë kandidatë të kualifikuar për postin/postet e renditura në Ftesën për propozime përmes një letre rekomandimi. Kriteret që duhet të plotësojnë kandidatët përcaktohen në nenin 27 të Ligjit për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar dhe renditen në Ftesën për propozime. Çdo emërim në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë mund të bëhet vetëm në rast se numri i gjykatësve në Regjistër është i pamjaftueshëm. Deri në atë moment, gjykatësit e përzgjedhur do të jenë në listën rezervë të gjykatësve. Në qoftë se do të emërohen në Regjistrin e Gjykatësve Ndërkombëtarë, gjykatësit do të jenë të pranishëm në selinë e Dhomave të Specializuara vetëm me kërkesë të Kryetares për ushtrimin e funksioneve që kërkojnë praninë e tyre.
Ftesa për propozime të kandidaturave gjendet në faqen e Internetit të Shërbimit të Jashtëm të Bashkimit Evropian dhe është e hapur deri më 15 mars 2024 në orën 17:00. Pas mbylljes së afatit të Ftesës, kandidatët do t’i nënshtrohen procesit përzgjedhës në bazë të Ligjit. Ju lutemi gjeni shpjegimin e procesit përzgjedhës këtu.