Gjykata Kushtetuese hedh poshtë referimin e fundit të H. Thaçit lidhur me shkeljet e të drejtave themelore
Paneli i Gjykatës Kushtetuese, i përbërë nga gjykatësit Vidar Stensland, Rumen Nenkov dhe Romina Inkuti, ka bërë sot publik vendimin mbi referimin më të fundit të Hashim Thaçit në lidhje me disa shkelje të pretenduara të të drejtave të tija themelore. Referimi kishte të bënte me regjimin e masave hetimore të posaçme të vendosura nga Gjykatësi i Vetëm ndaj të akuzuarit gjatë paraburgimit vitin e kaluar.
Thaçi pretendoi se me vendosjen e masave ishin shkelur nene të caktuara të Kushtetutës së Kosovës dhe të Konventës Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore. Ndër të tjera, ai u ankua se monitorimi i bisedave të tija jo të privilegjuara ka cenuar të drejtën e tij për privatësi dhe disa aspekte të garantimit të gjykimit të drejtë.
Paneli përcaktoi se ankesa e Thaçit nuk ka demonstruar shkelje të së drejtës së tij kushtetuese për privatësi dhe rrjedhimisht vendosi se ky aspekt i referimit ishte i papranueshëm, në përputhje me rregullën 14(f) të Rregullores së Punës së Dhomës së Specializuar të Gjykatës Kushtetuese (“Rregullorja e DHSGJK”).
Më tej, Paneli konstatoi se ankesat e Thaçit lidhur me të drejtën për avokat dhe të drejtën për t’u mbrojtur në heshtje janë të papranueshme. Konkretisht, Paneli konstatoi se këto ankesa janë të parakohshme, duke pasur parasysh se nuk ka filluar asnjë procedurë gjyqësore në lidhje me këtë çështje dhe nuk ka pasur një vendim përfundimtar lidhur me akuzat. Rrjedhimisht, nuk janë shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme juridike në përputhje me nenin 113(7) të Kushtetutës së Kosovës, nenin 49(3) të Ligjit dhe rregullën 14(f) të Rregullores së DHSGJK-së.
Hollësi të mëtejshme mund të gjenden në vendimin e Panelit. Ju lutemi vini re se referimi dhe parashtrimet lidhur me këtë çështje nuk janë ende të disponueshme për publikun.
P. Shala: urdhri i plotë i zhdëmtimit në dispozicion në anglisht
Ju lutemi vini re se, përveç përmbledhjes të dërguar më herët, versioni i plotë i redaktuar publik i urdhrit për zhdëmtim në çështjen P. Shala është në dispozicion në anglisht.
Pushimi dimëror i gjykatës zgjat deri më 10 janar 2025
Siç është njoftuar në kalendarin tonë, pushimi dimëror në DHSK fillon të hënën, më 23 dhjetor 2024, dhe përfundon më 10 janar 2025. Gjatë kësaj periudhe nuk mbahen seanca gjyqësore dhe disa nga shërbimet jothelbësore do të jenë në minimum. Megjithatë, gjykata mbetet plotësisht funksionale dhe puna vazhdon në të gjitha seksionet e DHSK-së. Gjatë pushimit mund të paraqiten parashtrime dhe përveç nëse gjykatësit kanë urdhëruar ndryshe, afatet gjyqësore vazhdojnë të jenë në fuqi.
Çështja Thaçi dhe të tjerët: vendimi i radhës për pjesëmarrjen e viktimave
Më 18 dhjetor 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaҫi dhe të tjerët miratoi kërkesën e Mbrojtësit të viktimave për të lejuar një anëtar të ngushtë të familjes të njërës prej viktimave, e cila ka ndërruar jetë së fundmi, të marrë pjesë si viktimë pjesëmarrëse në proces gjyqësor. Rrjedhimisht, numri i viktimave pjesëmarrëse në këtë çështje gjyqësore mbetet 154.
Çështja Januzi dhe të tjerët: Bahtijari pranon fajësinë/vendimi vitin e ardhshëm
Pasi konfirmoi se i kupton kushtet dhe pasojat e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, siç përcaktohet në rregullën 94 të Rregullores, Ismet Bahtijarit iu kërkua të deklarohet lidhur me pikat 2 dhe 3 të aktakuzës. Sot, ai u deklarua fajtor për të dyja akuzat, ndërsa seanca, e cila ka përfunduar, vazhdoi me trajtimin e pikave tjera të rendit të ditës.
Trupi Gjykues njoftoi se do të jetë në gjendje të vendosë në lidhje me të gjitha marrëveshjet për pranimin e fajësisë, përfshirë dënimin, vetëm pasi të marrë raportin nga Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave, që pritet të bëhet deri më 20 janar 2025 (siq kemi informuar dje) si dhe parashtrimet e palëve mbi raportin, që pritet të bëhet deri më 27 janar. Trupi Gjykues sqaroi se çdo zhdëmtim i mundshëm duhet të trajtohet si pjesë e marrëveshjeve për pranimin e fajësisë, në përputhje me rregullën 94 (2) (c) të Rregullores. Udhëzime të mëtejshme do të jepen nga Trupi Gjykues pas pushimit dimëror.
Çështja Januzi dhe të tjerët: pushimi i pasdites (19 dhjetor) do të zgjasë më shumë se që është njoftuar
Ju lutemi vini re se pushimi i tanishëm (që filloi në orën 15:15 respektivisht në orën 16:00 në transmetimin me vonesë në internet) do të zgjasë më gjatë se që është njoftuar. Seanca do të vazhdojë në orën 16:15 (17:00 në transmetimin me vonesë).
Informimi javor për median më 19 dhjetor: transkripti
Transkripti i informimit të sotëm javor të DHSK-së për median ndodhet këtu.
Arkivi i të gjitha informimeve të mëparshme është i disponueshëm në këtë faqe ndërsa video incizimet mund të gjenden në kanalin tonë në Youtube
Çështja Januzi dhe të tjerët: seanca mbi marrëveshjen për pranimin e fajësisë së Bahtijarit do të transmetohet me një vonesë prej 45 minutash
Ju lutemi vini re se transmetimi i seancës mbi marrëveshjen për pranimin e fajësisë, e cila do të mbahet sot në orën 13:00, do të bëhet me një vonesë prej 45 minutash. Klikoni këtu për të përcjellur transmetimin në shqip.
Informimi javor për median më 19 dhjetor
Informimi javor i radhës për median do të mbahet të enjten, më 19 dhjetor, në orën 14:30. Gjatë këtij informimi, zëdhënësit e DHSK-së do të japin një informacion të përditësuar mbi zhvillimet e fundit lidhur me procedurat gjyqësore dhe veprimtaritë e tjera publike të gjykatës. Gazetarët do të kenë mundësinë të bëjnë pyetje. Për të marrë pjesë, për çdo informim javor nevojitet regjistrimi paraprak. Ju lutemi dërgoni një mesazh elektronik me emrin dhe mbiemrin tuaj si dhe emërtimin e medias në [email protected](link sends e-mail). Afati i fundit për regjistrimin paraprak është çdo të enjte deri në ora 12:00. Detajet e platformës Zoom do të ju dërgohen pas regjistrimit paraprak. Regjistrimet e informacioneve të ofruara gjatë informimeve javore do të vihen në dispozicion në kanalin Youtube të DHSK-së.
Çështja Januzi dhe të tjerët: H. Shala dhe Januzi e pranojnë fajësinë
Seancat lidhur me marrëveshjet për pranimin e fajësisë së Haxhi Shalës dhe Sabit Januzit kanë përfunduar. Të dy të akuzuarit konfirmuan se i kuptojnë kushtet dhe pasojat e marrëveshjes për pranimin e fajësisë, siç përcaktohet në rregullën 94 të Rregullores. Në vazhdim, Shalës dhe Januzit iu kërkua të deklarohen lidhur me pikat 2 dhe 3 të aktakuzës, për të cilat të dy u deklaruan fajtorë.
Lidhur me zhdëmtimet e mundshme në këtë çështje, Trupi Gjykues nxori një vendim gojor duke urdhëruar Zyrën e Pjesëmarrjes së Viktimave të Dhomave të Specializuara që të dorëzojë një raport deri më 20 janar 2025, duke detajuar të gjitha kërkesat e viktimave, nëse ka.
Siç ishte paralajmëruar, seanca për marrëveshjen e pranimit të fajësisë për Ismet Bahtijarin është caktuar për nesër, 19 dhjetor, në ora 13:00. Ndërkohë, siç theksohet në komunikatën e sotme për shtyp, janë bërë publike detajet e marrëveshjes së Bahtijarit për pranimin e fajësisë. Për më tepër, tashmë është në dispozicion versioni në gjuhën shqipe i marrëveshjes së Januzit për pranimin e fajësisë.