Cilat janë të drejtat e viktimave pjesëmarrëse në procedurat para Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK)?
Pas konfirmimit të një aktakuze, një person mund të bëjë kërkesë që t’i miratohet statusi i viktimës pjesëmarrëse në procedurat gjyqësore para DHSK-së. Kërkesa trajtohet në mënyrë konfidenciale. Të gjithë personat që paraqesin një kërkesë të tillë informohen nga DHSK-ja për miratimin ose refuzimin e saj nëpërmjet një vendimi të arsyetuar.
Cilat janë përparësitë e marrjes së statusit të viktimës pjesëmarrëse në procedura?
Viktimat pjesëmarrëse kanë mundësinë e pjesëmarrjes aktive në procedura. Ata mund të kontribuojnë në zbulimin e të vërtetës dhe në të njëjtën kohë të mësojnë më shumë për faktet dhe për çfarë u ka ndodhur atyre dhe anëtarëve të ngushtë të familjeve të tyre. Viktimat pjesëmarrëse në procedurat para DHSK-së kanë mundësinë që t’u njihet statusi i viktimës. Gjithashtu, viktimat pjesëmarrëse kanë mundësinë të rrëfejnë për vuajtjet e tyre, në mënyrë që gjykatësit të informohen plotësisht për pasojat e veprave penale. Në tërësi, pjesëmarrja në procedura si viktimë pjesëmarrëse mund të jetë një përvojë fuqizuese.
Çfarë ndodhë në rast të refuzimit të kërkesës për miratimin e statusit të viktimës pjesëmarrëse në procedura?
Në rast se i refuzohet kërkesa për miratimin e statusit të viktimës pjesëmarrëse në procedura, personi që ka paraqitur kërkesën ka të drejtë ta apelojë këtë vendim brenda 14 ditësh. Në atë rast, Zyra e Pjesëmarrjes së Viktimave e DHSK-së e kontakton personin dhe i ofron ndihmë juridike. Ndihma juridike është falas, përveçse kur Gjykata ka arsye për të besuar se personi në fjalë ka mjete të mjaftueshme financiare për pagesën e saj. Refuzimi i kërkesës për miratimin e statusit të viktimës pjesëmarrëse në procedura nuk e kufizon të drejtën për të kërkuar zhdëmtim sipas ligjeve të tjera ose mekanizmave të tjerë për zhdëmtim në Kosovë.
Çfarë ndodhë kur një personi i miratohet statusi i pjesëmarrësit në procedura?
Kur një viktime i miratohet pjesëmarrje në procedura, DHSK-ja cakton një mbrojtës me përvojë për të përfaqësuar interesat e të gjitha viktimave pjesëmarrëse. Viktimat pjesëmarrëse kanë të drejtën për masa mbrojtëse. Gjithashtu, gjatë procesit gjyqësor Mbrojtësi i Viktimave mund të ushtrojë edhe disa të drejta të tjera në emër të viktimave.
A i përfaqëson Mbrojtësi i Viktimave të gjitha viktimat?
Në parim, viktimat pjesëmarrëse përbëjnë një grup me përfaqësim të përbashkët. Sidoqoftë, gjykatësit e DHSK-së mund, sipas rastit, të vendosin ta ndajnë grupin, për shembull, për arsye gjeografike apo gjuhësore.
A marrin viktimat informacion për zhvillimet në proceset gjyqësore?
Në përgjithësi, Mbrojtësi i Viktimave mund të jetë i pranishëm në seanca gjyqësore në emër të viktimave pjesëmarrëse. Mbrojtësi i Viktimave i informon rregullisht viktimat pjesëmarrëse në lidhje me çfarë ndodhë në proces. Gjithashtu, proceset gjyqësore transmetohen edhe në Internet.
A kanë viktimat pjesëmarrëse qasje në materiale konfidenciale?
Mbrojtësi i Viktimave ka qasje në informacion konfidencial. Megjithëse nuk mund ta ndajë përmbajtjen e materialit konfidencial drejtpërsëdrejti me viktimat pjesëmarrëse, Mbrojtësi i Viktimave i informon ata në mënyrë të përshtatshme për të dhënat më të rëndësishme në material.
A munden viktimat të bëjnë deklarata apo t’u bëjnë pyetje dëshmitarëve gjatë gjykimit?
Viktimat nuk mund të bëjnë deklarata, e as të bëjnë personalisht apo drejtpërdrejtë pyetje. Sidoqoftë, Gjykata mund ta lejojë Mbrojtësin e Viktimave t’u bëjë pyetje dëshmitarëve, ose të bëjë parashtrime gojore ose me shkrim në emër të viktimave, sa herë që janë në pyetje interesat personale të viktimave. Si interesa personale të viktimave, DHSK-ja nënkupton të drejtën e njoftimit, të njohjes së statusit të viktimës dhe të zhdëmtimit.
A mundet Mbrojtësi i Viktimave të paraqesë prova apo të thërrasë dëshmitarë për të dëshmuar?
Në rastet kur provat e paraqitura nga Prokuroria ose Mbrojtja janë të pamjaftueshme për vërtetimin e dëmit, humbjes ose lëndimeve që kanë pësuar viktimat si pasojë e veprave penale, Mbrojtësi i Viktimave mund të kërkojë leje për të paraqitur prova të rëndësishme shtesë, apo për të thirrur dëshmitarë për të dëshmuar. Më pas, gjykatësit marrin vendim në lidhje me kërkesën.
A është e mundshme që një viktimë pjesëmarrëse në procedura të paraqitet edhe si dëshmitar?
Po. Prokuroria, Mbrojtja dhe Mbrojtësi i Viktimave mund të thërrasin një viktimë pjesëmarrëse për të dhënë dëshmi si dëshmitar.
A kanë viktimat të drejtë për zhdëmtim?
Kur kryesi i një vepre penale shpallet fajtor, viktimat e asaj vepre penale që kanë pasur statusin e viktimës pjesëmarrëse në atë proces gjyqësor mund të marrin një kopje të legalizuar të aktgjykimit. Kjo mund t’u ndihmojë që të kërkojnë zhdëmtim në gjykatat vendore. Gjithashtu, gjykatësit e DHSK-së mund të nxjerrin vendim lidhur me shkallën dhe përmasat e dëmit, humbjes dhe lëndimeve që kanë pësuar viktimat. Në rrethana të caktuara, DHSK-ja mund ta urdhërojë kryesin e veprës penale që është shpallur fajtor t’u paguajë zhdëmtim një grupi viktimash apo viktimave individuale.