“Interesi personal dhe të drejtat e një viktime në procese penale para Dhomave të Specializuara janë njoftimi, pranimi dhe zhdëmtimi.”
Dispozitat në lidhje me zhdëmtimin në proceset para Dhomave të Specializuara gjenden në Ligjin për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar (Ligji nr. 05/L-053).
Në nenin 22 të Ligjit përcaktohet se në aktgjykim, trupi gjykues mund të përfshijë një vendim mbi shkallën dhe masën e dëmit, humbjes dhe lëndimeve shkaktuar viktimave, apo në lidhje me viktimat, ose mund ta kufizojë vendimin e vet në identitetin e viktimave.
Nëse një i akuzuar shpallet fajtor, trupi gjykues mund:
-
të lëshojë urdhër drejtpërdrejt kundër personit të akuzuar, ku e specifikon zhdëmtimin e duhur ndaj viktimave, bashkërisht ose individualisht; ose
-
t’i referojë viktimat për padi civile në gjykatat e tjera të Kosovës.
Gjithashtu, në nenin 44 të Ligjit përcaktohet se Dhomat e Specializuara mund të urdhërojnë personin e dënuar që të dëmshpërblejë ose kompensojë viktimën apo viktimat bashkërisht, ose mund të urdhërojnë konfiskimin e pronës, të ardhurave dhe të aseteve që përdoren për kryerjen e krimit dhe që rrjedhin nga kryerja e krimit dhe kthimin e tyre tek pronari i ligjshëm, si dhe shitjen dhe ndarjen mes viktimave sipas nenit 22 (“Urdhri për Zhdëmtim”).
Çështja gjyqësore Prokurori kundër z. Salih Mustafa (KSC-BC-2020-05)
Trupi Gjykues e zhvilloi procedurën e zhdëmtimit paralelisht me procedurën penale dhe që në fazën e hershme të procesit caktoi tre ekspertë. Ekspertëve iu kërkua të përgatisnin një raport ku të sqaronin nëse gjykatat në Kosovë ofrojnë mundësi reale që viktimat e krimeve në këtë çështje gjyqësore të kërkojnë zhdëmtim. Të tre ekspertët arritën në përfundim të ngjashëm, përkatësisht se referimi i viktimave për padi civile në gjykatat e Kosovës nuk është një zgjidhje e realizueshme (lidhja me raportet).
Më 4 shkurt 2022, Trupi Gjykues mori vendimin që në rast të shpalljes së fajësisë, nuk do t’i referonte viktimat për padi civile në gjykatat e Kosovës në bazë të nenit 22(9) të Ligjit, por do të lëshonte një Urdhër për Zhdëmtim (lidhja me vendimin).
Urdhri për Zhdëmtim u lëshua më 6 prill 2023 pas dënimit të z. Mustafa. Këtu është lidhja për deklaratën për shtypin, kurse versioni i redaktuar publik i Urdhrit për Zhdëmtim mund të gjendet këtu.
Çështja gjyqësore Prokurori kundër z. Pjetër Shalës (KSC-BC-2020-04)
Urdhri për Zhdëmtim u lëshua më 29 nëntor 2024 pas dënimit të z. Shala. Këtu është lidhja për deklaratën për shtypin.