Salih Mustafa ishte komandant i njësitit gueril BIA i cili operonte brenda Zonës Operative të Llapit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’). Gjykimi u zhvillua nga 15 shtatori 2021 deri më 15 shtator 2022. Aktgjykimi u shpall më 16 dhjetor 2022, Mustafa u shpall fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe u dënua me 26 vjet burgim. Më 5 prill 2023, Trupi Gjykues urdhëroi Mustafën të paguajë një shumë të gjithsejtë prej 207.000 euro si kompensim për dëmin e shkaktuar ndaj viktimave të krimeve për të cilat është shpallur fajtor. Më 14 dhjetor 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit zvogëloi dënimin e tij në 22 vjet burgim. Pas vendimit të Gjykatës Supreme më 29 korrik 2024, çështja iu kthye përsëri Panelit të Apelit për të shqyrtuar uljen e dënimit. Më 10 shtator 2024, Paneli i Gjykatës së Apelit shqiptoi një dënim të ri të njësuar prej 15 vitesh, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim. Në këtë çështje gjyqësore ishin 8 viktima pjesëmarrëse.
Më 6 tetor 2023, Sabit Januzi dhe Ismet Bahtijari u transferuan në objektin e Paraburgimit të DHSK-së, ndërsa Haxhi Shala u transferua më 12 dhjetor 2023. Të tre personat akuzohen për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë. Më 13 dhjetor 2023, ZPS-ja dorëzoi kërkesë për bashkimin e çështjes Januzi dhe Bahtijari (KSC-BC-2023-10) me çështjen Haxhi Shala (KSC-BC-2023-11). Në vijim, më 8 shkurt 2024, Gjykatësi i Procedurës Paraprake miratoi kërkesën e ZPS-së dhe vendosi që çështja e përbashkët do të quhet Prokurori i Specializuar kundër Sabit Januzit, Ismet Bahtijarit dhe Haxhi Shalës dhe do të mbajë numrin e çështjes KSC-BC-2023-10. Më 4 shtator 2024, Gjykatësja e Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Konferencat përgatitore për gjykimin u mbajtën më 7 dhe 8 tetor 2024.
Çështja përfshin katër ish-zyrtarë të lartë të pretenduar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës: Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi. Sipas aktakuzës, krimet e paraqitura në të u kryen më së paku prej marsit 1998 deri në shtator 1999 në disa vendndodhje në Kosovë, si edhe në Kukës dhe Cahan, në Shqipërinë Veriore. Më 15 dhjetor 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues II. Gjykimi filloi më 3 prill 2023 me deklaratat hyrëse të Prokurorit të Specializuar dhe të përfaqësuesit të viktimave, ndjekur nga ekipet e mbrojtjes më 4 dhe 5 prill 2023. Në këtë çështje gjyqësore janë 154 viktima pjesëmarrëse.
Pjetër Shala pretendohet se ishte anëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (‘UÇK’) i stacionuar në Kukës, Shqipëri. Krimet e pretenduara për të cilat akuzohet Shala u kryen përafërsisht midis 17 majit 1999 dhe 5 qershorit 1999, kundër personave që u mbajtën të ndaluar në fabrikën e metalit në Kukës (Shqipëri), që pretendohet se përdorej prej UÇK-së. Më 21 shtator 2022, Gjykatësi i Procedurës Paraprake ia kaloi dosjen e çështjes Trupit Gjykues I. Gjykimi filloi më 21 shkurt 2023 dhe përfundoi më 17 prill 2024. Aktgjykimi u shpall më 16 korrik 2024: Trupi Gjykues e shpalli të akuzuarin fajtor për krimet e luftës të ndalimit arbitrar, torturës dhe vrasjes së paligjshme dhe e dënoi me 18 vjet burgim, duke llogaritur dhe kohën në paraburgim. Më 2 shtator 2024, Mbrojtja e P. Shalës dorëzoi njoftimin për apel kundër aktgjykimit. Urdhri për zhdëmtimin e viktimave u shqiptua më 29 nëntor 2024. Trupi Gjykues urdhëroi P. Shalën të paguajë një shumë prej 208.000 eurosh si kompensim për dëmin fizik, mendor dhe material që iu shkaktua viktimave të krimeve për të cilat ai u shpall fajtor. Në këtë çështje gjyqësore janë 8 viktima pjesëmarrëse.
Pas konfirmimit të Aktakuzës kundër pesë të akuzuarve, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj dhe Fadil Fazliu u arrestuan nga ZPS-ja më 5 dhjetor dhe u transferuan në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë më 6 dhjetor 2024. Hashim Thaçit iu dorëzua fletarrestimi në objektin e paraburgimit të DHSK-së më 5 dhjetor, ndërsa Hajredin Kuçit iu dorëzua fletëthirrja për paraqitjen e parë. Në paraqitjen e tyre të parë më 8 dhjetor 2023, Thaçi dhe Smakaj nuk u deklaruan në lidhje me fajësinë ose pafajësinë, ndërsa Fazliu u vetëdeklarua i pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës. Një ditë më vonë, më 9 dhjetor, Kuçi dhe Kilaj u vetëdeklaruan të pafajshëm për të gjitha pikat e aktakuzës.
Gucati dhe Haradinaj shërbyen respektivisht si kryetar dhe si nënkryetar të Organizatës së Veteranëve të Luftës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe çështja e tyre ka të bëjë me vepra penale të pengimit të drejtësisë. Gjykimi u zhvillua nga 7 tetori 2021 deri më 17 mars 2022. Më 18 maj 2022, Trupi Gjykues i shpalli të dy të akuzuarit fajtorë dhe i dënoj me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me gjobë prej 100 eurosh për secilin. Më 2 shkurt 2023, Paneli i Gjykatës së Apelit uli dënimin e tyre në katër vjet e tre muaj burgim dhe la në fuqi dënimin me gjobë prej njëqind eurosh. Pas modifikimit të dënimeve të tyre nga Kryetarja e DHSK-së Trendafilova, Gucati dhe Haradinaj u liruan me kusht përkatësisht më 17 tetor dhe 14 dhjetor 2023.